"Mbylle gojën, gënjeshtar me pagesë"/ Përplasje mes Ballës dhe Kaprit, deputeti opozitar: S'pate guxim të flisje për “Osmanin” që mori tokë në Vlorë
Një debat i ashpër është zhvilluar mes deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe deputetit të Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, gjatë diskutimeve në Kuvend, ku palët kanë shkëmbyer akuza të forta lidhur me ligjin për tokën bujqësore dhe çështjet e pronësisë.
Balla ka akuzuar Kaprin për deklarata të pavërteta dhe për sulme politike, duke e cilësuar atë si “gënjeshtar me pagesë” dhe duke i kërkuar të paraqesë prova për akuzat e tij.
“Gënjeshtar me pagesë, do të mbahesh mend si mbajtës çante i një deputeti tjetër. Mbylle gojën. Erdhe, bëre një gabim dhe u kape me presh në dorë”, deklaroi Balla.
Ai mbrojti paketën ligjore për bujqësinë dhe tokën bujqësore, duke thënë se ndryshimet janë pjesë e detyrimeve të Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian.
“Nëse thua se ky ligj është bërë me porosi, i bie që paskam korruptuar edhe BE-në. Këto ligje janë pjesë e një pakete të rëndësishme për përafrimin me standardet europiane”, u shpreh Balla.
Deputeti socialist hodhi akuza edhe ndaj opozitës lidhur me çështjet e pronave në Vlorë, duke përmendur emrin e Agron Shehajt dhe duke pretenduar për përfshirje në konflikte pronësie.
Në replikë, deputeti Erald Kapri e akuzoi Ballën se po përdor familjarët si mjet presioni politik.
“Kurrë nuk kemi përmendur familjarë. E bëri Taulant Balla, sepse më bën shantazh duke më përmendur mua familjen. Përdorni gjithçka për të frikësuar dikë për mendimin e tij”, tha Kapri.
Ai e sfidoi Ballën për çështjet e pronave në Vlorë dhe akuzoi mazhorancën se po shmang përgjegjësitë duke i kujtuar tokën e dhënë nga qeveria për një investim strategjik ndaj aktorit Burak Ozçivit i njohur si “Osmani” për publikun shqiptar.
“Nuk pate guxim të flisje për “Osmanin” që mori tokë në Vlorë dhe për familjet që kërkojnë të drejtat e tyre të pronësisë. Përballë na ke dhe përballë do të na kesh. Do ta shohësh kush do të largohet më herët nga politika”, deklaroi Kapri.
Debati vijoi me tone të larta, ndërsa palët u përplasën për ligjin e tokës, pronat në zonën e Vlorës dhe akuzat për lidhje mes vendimmarrjeve politike dhe interesave private.



