"Produktet shqiptare po pushtojnë tregjet europiane"/ Balla-Kaprit: Pa të dhëna reale dhe census të plotë nuk ka fonde

Bujqësia shqiptare po regjistron rritje të eksporteve dhe zgjerim të investimeve, por sipas Taulant Balla, sektori përballet ende me sfida që kërkojnë politika të bazuara në të dhëna të sakta.

Gjatë debatit në Kuvend me deputetin e Partisë "Mundësia", Erald Kapri, Balla argumentoi se procesi i censusit është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e bujqësisë dhe përfitimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se sot produktet shqiptare po eksportohen më shumë se një dekadë më parë, janë zgjeruar sipërfaqet me sera, është rritur prodhimi dhe janë shtuar investimet në agropërpunim.

Megjithatë, ai renditi si probleme kryesore fragmentarizimin e tokës, madhësinë e vogël të fermave, mungesën e fuqisë punëtore, plakjen e popullsisë rurale dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike.

"Sot eksportet shqiptare janë shumëfishuar. Janë zgjeruar sipërfaqet me sera, është rritur prodhimi dhe produktet shqiptare gjenden gjithnjë e më shumë në tregjet europiane. Por sektori vazhdon të përballet me sfida serioze si fragmentarizimi i tokës, mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për mekanizim."-tha kreu i grupit parlamentar të PS.

Sipas Ballës, këto sfida nuk mund të zgjidhen pa informacion të saktë mbi gjendjen reale të sektorit.

Ai argumentoi se censusi nuk është vetëm një proces statistikor, por një instrument që ndihmon në hartimin e politikave dhe orientimin e investimeve aty ku ka më shumë nevojë.

"Në Bashkimin Europian nuk ka bujqësi të zhvilluar pa statistika të sakta dhe regjistra të besueshëm. Nëse duam që fermerët shqiptarë të përfitojnë nga fondet e Bashkimit Europian, duhet të flasim të njëjtën gjuhë statistikore me Europën."-shtoi ai.

Balla e cilësoi censusin si fillimin e një etape të re për bujqësinë shqiptare, ku vendimmarrja, investimet dhe shpërndarja e fondeve do të mbështeten në të dhëna të përditësuara, me synimin për të rritur produktivitetin dhe për të afruar sektorin me standardet e Bashkimit Europian.

EMISIONET