Rrahën denoncuesin e blerjes së votës, gjykata lë 60 ditë në qeli 4 kushërinjtë Paplekaj

Gjykata e Lezhës vendosi të mbajë 60 ditë në burg 4 anëtarët e fisit Paplekaj të cilët dhunuan e kërcënuan me jetë të riun që filmoi dhe shpërndau një video ku pretendohet blerja e votave në favor të PS në zgjedhjet e 25 prillit. Në video, një i afërm i autorëve, deklaronte se kishte marrë 20 mijë lekë për 4 vota në favor të Partisë Socialiste.

Katër kushërinjtë që dhunuan dhe kërcënuan me jetë 38-vjeçarin, Ylli Kacoli, që filmoi këtë video ku denoncohet blerja e votës për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit mbetën në qeli.

Gjykata e Lezhës caktoi masën e sigurisë arrest me burg me afat 60 ditor për Gëzim, Mirash, Donald dhe Jetmir Paplekajn të afërm të protagonistit të videos Gëzim Paplekaj, i cili deklaron në video se kishte marrë 20 mijë lekë për 4 vota.

Gjykata i ka dhënë dy muaj kohë afat prokurorisë që të vërtetojë pretendimet për veprat penale që akuzohen Paplekajt, avokati mbrojtës të cilëve pret që të lirohen brenda dy muajve,

"Nuk ekziston vepra penale."

Referuar dosjes hetimore, Ylli Kacoli dhe Gëzim Paplekaj që shfaqet në video ishin të njohur me njëri-tjetrin dhe që të dy ishin punëtorë sezonal në Mal të Zi.

Video në fjalë është regjistruar në shtetin fqinj dhe më pas dyshohet të jetë shpërndarë nga Ylli Kacoli.

Publikimi i kësaj video ka irrituar pjestarët e fisit Paplekaj, të cilët e kanë marrë në Mal të Zi Ylli Kacolin me pretendimin se do shkonin në Shqipëri për të sqaruar situatën.

Por kur kanë hyrë në territorin shqiptar ata e kanë çuar 38-vjeçarin në zonën e Torovicës dhe përmes dhunës e kanosjes i kanë kërkuar që të bënte dëshmi të rreme.

Sipas pretendimeve, ata i kanë kërkuar që të deklaronte që është bërë video Gëzim Paplekaj ka qenë në gjendje të dehur.

Por kjo nuk është pranuar nga 38-vjeçari, i cili ka bërë menjëherë kallëzim në polici dhe blutë  i vunë në pranga.

Ndërkohë, dyshimet për shitblerjen e votës në Lezhë në favor të PS, që ngrihet mbi bazë të videos po hetohet nga SPAK, i cili ka vënë nën hetim në gjendje të lirë 45- vjeçarin Gëzim Paplekaj.

EMISIONET