Ndërron jetë në moshën 50-vjeçare gazetari italian që zbuloi intervistën kontroverse Trump-Meloni

Ndërron jetë në moshën 50-vjeçare gazetari italian

Gazetaria ndërkombëtare ka humbur një nga zërat e saj të njohur. Daniele Compatangelo, korrespondent i televizionit italian La7 në Uashington dhe president i Shoqatës së Korrespondentëve të Jashtëm të Shtëpisë së Bardhë (WHFCA), ka ndërruar jetë papritur në moshën 50-vjeçare pas një sëmundjeje të shkurtër.

Compatangelo ishte një prej gazetarëve italianë më të afërt me zhvillimet politike në SHBA, ku për më shumë se dy dekada raportoi nga zemra e pushtetit amerikan.

Ai u bë veçanërisht i njohur pas intervistës ekskluzive telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku komentet e këtij të fundit për kryeministren italiane Giorgia Meloni shkaktuan reagime të forta në Itali dhe debat diplomatik mes Romës dhe Uashingtonit.

Në intervistë, Trump pretendoi se Meloni i ishte “lutur” për një fotografi gjatë samitit të G7, deklaratë të cilën kryeministrja italiane e mohoi duke e cilësuar si “plotësisht të fabrikuar”.

Gjatë karrierës së tij 25-vjeçare, Compatangelo punoi për disa media të rëndësishme italiane, përfshirë Sky dhe Il Secolo XIX, ndërsa mbuloi tetë edicione të Lojërave Olimpike dhe realizoi dokumentarë e materiale investigative.

Kolegët e tij në La7 e përshkruan si një gazetar të jashtëzakonshëm, të përkushtuar dhe gjithmonë të gatshëm për të treguar histori me saktësi e profesionalizëm.

“Daniele ishte një bashkëpunëtor i çmuar dhe i pazakontë. Do të na mungojë”, u shpreh drejtori i La7, Andrea Salerno.

Vdekja e Compatangelos ka shkaktuar reagime të shumta nga komuniteti i gazetarëve në SHBA dhe Itali, ku ai kishte fituar respekt si një nga korrespondentët më të spikatur të politikës amerikane.

 

EMISIONET