Sulm natën në Rusi/ Dronët godasin depot e Wildberries, flakët përfshijnë objektet logjistike

Sulm natën në Rusi/ Dronët godasin depot e Wildberries,

Një tjetër sulm me dronë ka goditur objektiva logjistike në territorin rus, duke shkaktuar viktima dhe dëme materiale. Në shënjestër këtë herë kanë qenë objektet e kompanisë së madhe të tregtisë elektronike Wildberries, një prej platformave më të mëdha të shitjeve online në Rusi.

Sipas autoriteteve ruse, nga sulmi i orëve të para të së mërkurës ka humbur jetën një person, ndërsa disa të tjerë janë plagosur. Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër goditjeje ndaj të njëjtës kompani, ku humbën jetën punonjës të turnit të natës.

Punonjësit e qendrave logjistike të Wildberries në qytetet Krasnodar dhe Nizhny Novgorod u evakuuan pas sulmeve. Në rajonin e Stavropolit, një kompleks magazinash në zonën e Nevinnomyssk u përfshi nga flakët pas goditjes me dron.

Guvernatori i zonës, Vladimir Vladimirov, bëri të ditur se zjarri shpërtheu në një kompleks deposh dhe disa persona kërkuan ndihmë mjekësore pas sulmit.

Ndërkohë, autoritetet lokale në Armavir raportuan për një sulm masiv ndaj një kompanie, ku një person humbi jetën dhe rreth dhjetë të tjerë u plagosën. Ende nuk është konfirmuar nëse objektivi ishte pikërisht Wildberries.

Sulmi i fundit pason goditjen e së shtunës, kur dy depo të mëdha të kompanisë u përfshinë nga zjarri, duke shkaktuar tetë viktima mes punonjësve.

Që prej nisjes së luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, sulmet ajrore me dronë dhe raketa janë shtuar nga të dyja palët. Objektivat ushtarake, infrastruktura dhe tashmë edhe qendrat logjistike civile janë përfshirë gjithnjë e më shumë në valën e goditjeve.

EMISIONET