Video-denoncimi për blerje vote, 38-vjeçari nga Lezha u kërcënua me jetë që ta mohonte

38-vjeçari që publikoi video-denoncimin ku pretendohet shitblerja e votës në favor të Partisë Socialiste në Lezhë u kërcënua me jetë që të rrëzonte dëshminë Gëzim Paplekajt dhe në kushtet e refuzimit u përball me dhunë fizike nga katër familjarë të tij. Protagonisti i videos nga ana tjetër, ka deklaruar në polici se ka qenë i dehur dhe i pavetëdijshëm për deklarimet.

Detaje të reja janë zbuluar për kërcënimin me jetë dhe dhunimin e 38-vjeçarit Ylli Kacoli, i cili publikoi një video për shitblerjen e votave në zgjedhjet e 25 prillit në Lezhë.

Ai u kanos nga katër familjarë të Gëzim Paplekajt, burrit që shfaqet në filmim ku pretendonte se kishte marrë 20 mijë lekë për 4 vota të familjes për Partinë Socialiste.

Burimet thanë se 4 agresorët i kanë kërkuar 38-vjeçarit Kacolli që të përgënjeshtronte dëshminë në video dhe të deklaronte se Gëzim Paplekaj ka qenë nën efektin e alkoolit kur është filmuar.

Por kjo nuk është pranuar nga Kacoli dhe në këto kushte 4 pjestarët e fisit Paplekaj e kanë kanosur me jetë, e kanë dhunuar dhe i dëmtuan automjetin.

Nga ana tjetër në dëshminë e dhënë në polici 45-vjeçari Gëzim Paplekaj, protagonist i videos mësohet të ketë mohuar se ka marrë para për vota.

Ai ka thënë se deklarimet në video janë bërë nën efektin e alkoolit dhe se nuk ka qenë i vetëdijshëm.

Por referuar dëshmisë së tij me zë dhe figurë për shitblerje votash, video e cila u bë virale, është regjistruar procedim penal dhe çështja i ka kaluar për hetim SPAK.

Ndërkohë për dhunimin dhe kanosjen e 38-vjeçarit Ylli Kacoli, policia ka vënë në pranga, shtetasit Gëzim, Mirash, Donald dhe Jetmir Paplekaj.

Materialet ndaj tyre janë referuar në prokurorinë e rrethit gjyqësor Lezhë dhe ata pritet të dalin në gjykatë për tu njohur me akuzat dhe masën e sigurisë.

 

 

EMISIONET