SHBA miraton marrëveshjen bërthamore me Arabinë Saudite, vendimi që ngre shqetësime në Lindjen e Mesme

SHBA miraton marrëveshjen bërthamore me Arabinë Saudite, vendimi

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje për bashkëpunim bërthamor civil me Arabinë Saudite, një hap që pritet të ndikojë në balancat e sigurisë në Lindjen e Mesme.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë New York Times dhe Wall Street Journal, marrëveshja është firmosur nga Trump dhe pritet të shpallet zyrtarisht së shpejti.

Dokumenti, i njohur si “Marrëveshja 123”, krijon bazën ligjore për bashkëpunimin bërthamor civil mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite. Megjithatë, ai nuk nënkupton automatikisht transferimin e teknologjive apo materialeve më të ndjeshme bërthamore.

Sipas raportimeve, Uashingtoni i ka dhënë mundësi Riadit për zhvillimin e kapaciteteve të pasurimit të uraniumit, ndërsa disa masa mbrojtëse ndërkombëtare që synojnë të parandalojnë përdorimin ushtarak të programit nuk janë kërkuar në të njëjtën formë si në marrëveshje të tjera.

Detajet e plota të kufizimeve dhe kushteve të vendosura nga pala amerikane ende nuk janë bërë publike.

Marrëveshja ka sjellë reagime dhe shqetësime në rajon. Izraeli ka shfaqur prej kohësh rezerva për zhvillimin e një programi bërthamor saudit, veçanërisht për shkak të rivaliteteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Ndërkohë, Irani vijon programin e tij bërthamor, duke këmbëngulur se ai ka qëllime civile, ndërsa zhvillimet e tij me uraniumin e pasuruar kanë mbajtur nën vëzhgim komunitetin ndërkombëtar.

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka paralajmëruar më herët se nëse Irani do të pajisej me armë bërthamore, edhe Riadit do t’i duhej të ndiqte të njëjtën rrugë.

 

 

EMISIONET