“Prrenjasi nuk mund të zhduket nga harta”/ Ish-kryetarja e bashkisë Rira kundër shkrirjes: Goditet qyteti i minatorëve

Prrenjasi rrezikon të humbasë statusin si bashki, nëse zbatohet reforma e re territoriale që parashikon bashkimin e saj me Librazhdin.

Përballë këtij skenari ka reaguar ish-kryetarja e Bashkisë së Prrenjasit, Miranda Rira, e cila në një lidhje direkte për Ora News ka ngritur shqetësime për mungesën e konsultimit me qytetarët dhe arsyetimin e këtij vendimi.

Rira thotë se propozimi për shkrirjen e Prrenjasit nuk është diskutuar më herët dhe qytetarët nuk kanë pasur mundësi të shprehin qëndrimin e tyre.

“Ky projekt nuk është bërë i ditur më parë dhe qytetarët nuk kanë pasur një proces real konsultimi. Prrenjasi ka rreth 19 mijë banorë sipas censusit të vitit 2023 dhe ky numër është brenda mesatares së shumë njësive vendore në Europë. Pra, argumenti i popullsisë nuk qëndron.”-tha ajo.

Sipas ish-kryebashkiakes, një nga arsyet e paraqitura për bashkimin me Librazhdin është lidhja funksionale mes dy zonave, por ajo e kundërshton këtë argument duke sjellë vështirësitë konkrete të banorëve të zonave të thella.

Një banori nga Stravaj, sipas saj, do t’i duhen disa orë udhëtim për të marrë një shërbim që sot e merr në Prrenjas. Ndërkohë, distanca dhe terreni malor e bëjnë më të vështirë menaxhimin e një territori më të madh.

Për të shkuar nga Stravaj në Librazhd për një shërbim të thjeshtë, një qytetar duhet të kalojë disa orë rrugë. Flasim për një bashki me 26 fshatra, qytetin e Prrenjasit dhe një territor rreth 323 kilometra katrorë. Kjo nuk është një lidhje funksionale që e lehtëson jetën e qytetarëve.”-u shpreh Rira.

Përtej çështjes administrative, debati prek edhe historinë e qytetit. Prrenjasi njihet si qytet i minatorëve, i ngritur nga puna e mijëra punëtorëve në minierat e hekur-nikelit dhe kromit në Pishkash, Prrenjas dhe Katjel.

Rira e lidh kundërshtimin e saj edhe me mungesën e vëmendjes ndaj komunitetit të minatorëve, të cilët prej vitesh presin njohjen e statusit të tyre.

Ajo kërkon që çdo vendim për të ardhmen administrative të Prrenjasit të merret duke marrë parasysh historinë, territorin dhe nevojat reale të banorëve.

 

EMISIONET