Nga pasioni te përkushtimi/ 5 fazat që kalon çdo marrëdhënie dashurie sipas shkencës

Marrëdhëniet e dashurisë shpesh nisin me emocion, pasion dhe dëshirën për të kaluar sa më shumë kohë me personin tjetër. Por me kalimin e kohës, një lidhje ndryshon dhe kalon në etapa të ndryshme. Sipas neuroshkencëtarëve, shumica e marrëdhënieve ndjekin pesë faza kryesore, ku truri dhe emocionet luajnë një rol të rëndësishëm.
Faza e parë: tërheqja dhe pasioni
Kjo është periudha që shumë njerëz e kujtojnë si më emocionuesen. Çdo moment me partnerin duket i veçantë, ndërsa dëshira dhe energjia janë në nivele të larta. Në këtë fazë, hormonet si testosteroni dhe estrogjeni ndikojnë në rritjen e tërheqjes dhe pasionit.
Faza e dytë: njohja më e thellë
Pas emocioneve të para, çifti nis të zbulojë më shumë për njëri-tjetrin. Tërheqja mbetet, por vëmendja kalon te krijimi i një lidhjeje më të fortë dhe kuptimi i karakterit të partnerit. Dopamina dhe adrenalina lidhen me ndjenjën e kënaqësisë dhe entuziazmit që shoqëron këtë periudhë.
Faza e tretë: përballja me realitetin
Në këtë etapë, marrëdhënia merr një drejtim më serioz. Partnerët fillojnë të mendojnë për të ardhmen dhe të vlerësojnë nëse janë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Përveç ndjenjave, rëndësi marrin edhe mënyra se si çifti përballet me jetën e përditshme dhe sfidat.
Faza e katërt: pranimi dhe besimi
Me kalimin e kohës, partnerët shfaqin edhe anët e tyre më të dobëta. Perfeksioni i fillimit zëvendësohet nga një njohje më reale e njëri-tjetrit. Sinqeriteti dhe aftësia për të pranuar ndryshimet bëhen faktorë të rëndësishëm për vazhdimësinë e lidhjes.
Faza e pestë: stabiliteti dhe përkushtimi
Çiftet që arrijnë ta kalojnë këtë rrugëtim krijojnë një marrëdhënie më të qëndrueshme. Besimi, siguria dhe afërsia emocionale bëhen baza e lidhjes. Oksitocina, e njohur si hormoni që lidhet me afërsinë emocionale, dhe vazopresina lidhen me ndjenjën e lidhjes dhe përkushtimit mes partnerëve.
Sipas kësaj qasjeje shkencore, dashuria nuk është një ndjenjë që mbetet e pandryshuar, por një proces që zhvillohet me kohën. Nga emocionet e para deri te ndërtimi i një të ardhmeje të përbashkët, çdo fazë sjell ndryshime në mënyrën se si partnerët lidhen me njëri-tjetrin.


