“Spastrimi” në Westminster/ Avokati Hasani: Kryeministri i ri britanik po ndryshon kabinetin dhe po rikthen kundërshtarët e Starmer-it

Qeveria e re britanike ka nisur një riorganizim të gjerë politik, me ndryshime të rëndësishme në kabinet dhe rikthimin e disa figurave që më herët kishin qenë në përplasje me ish-kryeministrin Keir Starmer.

Për zhvillimet e fundit në Londër ka folur në një lidhje direkte për Ora News avokati në Angli, Naim Hasani, i cili solli detaje mbi lëvizjet e kryeministrit të ri Andy Burnham dhe ndryshimin e kursit të Partisë Laburiste.

Një nga vendimet më befasuese ishte emërimi i John Healey në postin e Kancelarit të Thesarit, një nga detyrat më të rëndësishme në qeverinë britanike pas asaj të kryeministrit.

Sipas Hasanit, zgjedhja e Healey erdhi si një surprizë, pasi emrat më të përfolur për këtë pozicion ishin Shabana Mahmood dhe Ed Miliband.

"Emërimi i John Healey në krye të departamentit të financave ishte një surprizë e jashtëzakonshme. Ai nuk pritej për këtë post, pasi favoritët kryesorë ishin figura të tjera. Por Andy Burnham ka treguar se dëshiron të qeverisë në një mënyrë krejt ndryshe dhe të shmangë përplasjet e brendshme në parti."-tha ai.

Ky vendim shihet si një sinjal i qartë për shkëputjen nga mënyra e drejtimit të qeverisë së mëparshme dhe një përpjekje për të krijuar një kabinet me figura të reja politike.

Ndryshimet kanë prekur edhe poste të tjera të rëndësishme. Wes Streeting, ish-ministri i Shëndetësisë dhe një nga figurat që kishte sfiduar hapur lidershipin e Starmer-it, është emëruar ministër i Mbrojtjes.

Po ashtu, në kabinet është rikthyer Angela Rayner, e cila ka marrë përgjegjësinë për departamentin e strehimit, pas largimit të saj gjatë qeverisjes së mëparshme.

"Wes Streeting ishte një nga figurat që kishte dalë hapur kundër Keir Starmer-it dhe sot është shpërblyer me një nga postet më të rëndësishme, atë të ministrit të Mbrojtjes. Po ashtu kemi rikthimin e Angela Rayner dhe shumë figurave të tjera që ishin larguar më parë."-u shpreh ai.

Ndërkohë, disa prej mbështetësve kryesorë të Starmer-it janë larguar nga kabineti, përfshirë ish-ministren e Financave, Rachel Reeves.

Sipas analizës së Hasanit, këto lëvizje tregojnë një riformatim të thellë të Partisë Laburiste, ku figura të larguara më parë po rikthehen në qeveri, ndërsa krahu i afërt me Starmer-in po humbet ndikimin.

Ndryshimet në Londër pritet të përcaktojnë drejtimin e ri politik të qeverisë britanike në një periudhë me sfida të mëdha, përfshirë tensionet ndërkombëtare dhe çështjet ekonomike brenda vendit.

 

EMISIONET