Ishte zhdukur dy vite e gjysmë më parë, gjendet në Mamurras trupi i të riut Klevis Lleshi
Është gjetur në Mamurras trupi i një të riut që ishte zhdukur prej vitit 2020. Klevis Lleshi në kohën e zhdukjes ishte 24 vjeç, ndërsa trupi është gjetur i groposur.Trupi i të riut doli pasi erozioni e shembi pjesën ku ai ishte varrosur, ndërsa ai bëhet personi i 3 i familjes Lleshi që është vrarë në 10 vitet e fundit, pasi më herët i ishte vrarë babai dhe xhaxhai.
Ishte shpallur dy vite e gjysmë më parë i zhdukur, prokuroria e Kurbinit ka gjetur trupin e pajetë të 24-vjeçarit Klevis Lleshi. Burime bëjnë me dije se trupi i të riut është gjetur i groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Ai është zbuluar si rezultat i erozionit dhe banorë të zonës kanë njoftuar policinë e cila më pas ka kryer testin e AND-së dhe ku ka rezultuar se i përkiste të riut nga Matit, Klevis Lleshi.
Prokuroria e Matit kishte nisur hetimet pas denoncimit të familjarëve në Qershor të vitit 2020 se Klevis Lleshi dyshohej të ishte marrë peng para 2 vite e gjysmë në afërsi të Pallatit të Sportit në Burrel.
Hetimet u shtrinë në kohë dhe në disa qytete por nuk pati asnjë rezultat në gjetjen e vendndodhjes së tij apo të autorëve të dyshuar, derisa trupi i pajetë u zbulua në fshatin Shpërdhet Mamurrasit.
Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur dhjetë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.