Rubio paralajmëron Iranin: Nuk jeni serioz për bisedimet, rrezikohet ekonomia globale

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani nuk po tregon seriozitet në negociatat e mundshme dhe ka paralajmëruar për pasoja të gjera nëse vazhdon tensioni rreth Ngushticës së Hormuzit.
Duke folur në një takim të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Filipine, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për dialog, por akuzoi Teheranin se po kërcënon lirinë e lundrimit në një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.
“Problemi që kemi tani është se ata nuk janë seriozë për bisedimet. Nëse jeni seriozë, edhe ne jemi seriozë. Nëse nuk jeni, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe interesat e aleatëve tanë”, u shpreh Rubio.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur ushtria amerikane ka përfunduar një tjetër raund sulmesh ndaj Iranit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të rriten.
Rubio theksoi se Irani nuk ka të drejtë ligjore për të kontrolluar trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëroi se krijimi i një precedenti të tillë mund të ndikojë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në stabilitetin ekonomik global.
“Nëse një shtet vendos se mund të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare, krijohet një precedent shumë i rrezikshëm që mund të përsëritet edhe në pjesë të tjera të botës”, deklaroi ai.
Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, çështja nuk lidhet vetëm me Ngushticën e Hormuzit, por me një parim themelor të tregtisë ndërkombëtare – lirinë e lundrimit, cenimi i së cilës mund të sjellë pasoja për ekonominë botërore.


