TË BUKURA DHE TË PËRBALLUESHME/ Gjirokastra, Berati e liqeni i Ohrit, rekomandohen nga media amerikane

Gjirokastra, Berati dhe bregu shqiptar i Liqenit të Ohrit janë përfshirë mes destinacioneve më të mira evropiane që ndërthurin bukurinë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe kostot e përballueshme, pa u prekur ende nga turizmi masiv.

Rekomandimi vjen nga media amerikane "Quartz", e cila i rendit këto destinacione mes alternativave më autentike dhe ekonomike për turistët që kërkojnë të shmangin qytetet e mbipopulluara dhe çmimet e larta.

Gjirokastra vlerësohet për arkitekturën karakteristike prej guri, kalanë e shekullit XII dhe Pazarin e Vjetër, ku ruhen ende traditat e zejtarisë.

Qendra historike e qytetit është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 2005.

Kostoja e ulët e akomodimit dhe e ushqimit tradicional e bën qytetin një alternativë më të përballueshme krahasuar me destinacionet turistike në Itali apo Greqi.

Berati, i mbrojtur nga UNESCO, cilësohet si një destinacion ideal për vizita njëditore. Lagjet historike Mangalem dhe Goricë, Kalaja e Beratit, ende e banuar, si dhe Muzeu Ikonografik "Onufri", janë ndër atraksionet kryesore të qytetit, i cili mban statusin e UNESCO-s që prej vitit 2008.

Një tjetër destinacion i rekomanduar është bregu shqiptar i Liqenit të Ohrit, i njohur për biodiversitetin e rrallë dhe peizazhin natyror.

Sipas "Quartz", këto destinacione kanë ruajtur identitetin kulturor, atmosferën autentike dhe çmime që pasqyrojnë ende ekonominë vendase.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e interesit turistik mund ta ndryshojë këtë realitet në vitet e ardhshme.

Lista përfshin kryesisht destinacione në Ballkan, vendet baltike dhe disa pjesë të Evropës Qendrore e Jugore, rajone që për dekada kanë mbetur jashtë itinerareve kryesore turistike.

EMISIONET