(VIDEO) SHBA përmbyll raundin e 11-të të s*lmeve ndaj Iranit/ Objektiv infrastruktura ushtarake

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka njoftuar përfundimin e raundit të 11-të të sulmeve ndaj objektivave në Iran, në kuadër të përpjekjeve për të kufizuar aftësitë ushtarake të Teheranit.
Sipas njoftimit të CENTCOM, sulmet e fundit, të zhvilluara gjatë natës së 11-të radhazi të operacioneve, kishin në shënjestër infrastrukturën ushtarake iraniane, përfshirë hangarë avionësh, ambiente të magazinimit të dronëve dhe qendra operacionesh.
Forcat amerikane deklaruan se qëllimi kryesor i këtyre goditjeve është “dobësimi i mëtejshëm i aftësisë së Iranit për të kërcënuar anijet tregtare në Ngushticën e Hormuzit”.
CENTCOM pretendon se gjatë tre muajve të fundit Irani ka sulmuar më shumë se 30 anije tregtare që kalojnë nëpër këtë ngushticë strategjike.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara theksojnë se forcat e tyre kanë kontribuar në sigurinë e trafikut detar, duke ndihmuar kalimin e rreth 900 anijeve tregtare dhe afro 450 milionë fuçive naftë bruto.
Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të mbeten të larta, ndërsa rajoni i Gjirit Persik vazhdon të jetë në qendër të zhvillimeve të sigurisë ndërkombëtare.


