Olise dëshiron Real Madridin / Një marrëveshje sekrete me Bayernin pengon transferimin

Michael Olise ka shfaqur dëshirën për t’u transferuar te Real Madridi, por një marrëveshje e fshehtë mes drejtuesve të klubit spanjoll dhe Bayern Munichut po pengon për momentin një lëvizje të mundshme.
Interesimi i “Los Blancos” për sulmuesin francez nuk konsiderohet më thjesht një thashethem merkatoje. Raportimet bëjnë të ditur se Olise është bindur edhe më shumë për një kalim në “Santiago Bernabeu” pas Kupës së Botës 2026, ku krijoi një marrëdhënie të mirë me bashkëlojtarin e Francës, Kylian Mbappen.
Sipas mediave gjermane, Mbappe ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë histori, duke i përcjellë presidentit Florentino Perez dëshirën e Olises për t’u bashkuar me Real Madridin dhe duke e cilësuar atë si një përforcim të rëndësishëm për projektin e klubit.
Megjithatë, sipas “Foot Mercato”, pengesa kryesore është një marrëveshje jozyrtare mes Florentino Perezit dhe presidentit të Bayern Munichut, Herbert Hainer. Sipas kësaj ujdie, të dy klubet duhet të informojnë njëri-tjetrin përpara se të kontaktojnë drejtpërdrejt lojtarët e klubit kundërshtar.
Për këtë arsye, Real Madridi ende nuk ka bërë kontakte zyrtare me Bayernin apo me përfaqësuesit e Olises, ndërsa negociatat nuk kanë hyrë ende në fazën e ofertave konkrete.
Ndërkohë, Bayern Munich po përpiqet ta bindë francezin të qëndrojë në Gjermani. Klubi bavarez synon rinovimin e kontratës së tij, e cila skadon në vitin 2029, duke i ofruar një rritje të ndjeshme page nga rreth 14 milionë euro në afërsisht 25 milionë euro në sezon.
Olise pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit e Bayernit pas kthimit nga Botërori, ku do të dëgjojë planet sportive të klubit për të ardhmen.
Vendimi i tij pritet të jetë vendimtar për hapin e radhës, ndërsa Real Madridi po pret sinjalin përfundimtar përpara se të ndërhyjë me një ofertë të madhe financiare.



