VR*SJA E SANTIAGO MALKOS/ Apeli shtyn seancën për Erlis Dukën, SPAK kundërshton pafajësinë

Seanca nuk u zhvillua pasi mbrojtja e Dukës pretendoi se klienti i tyre nuk ishte njoftuar sipas kërkesave ligjore, edhe pse avokatët e tij ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Për këtë arsye, trupa gjykuese vendosi shtyrjen e shqyrtimit të çështjes.

Vendimi për Erlis Dukën lidhet me një nga dosjet më të rëndësishme kriminale të viteve të fundit, atë të ekzekutimit të ish-punonjësit të policisë Santiago Malko, ngjarje e ndodhur gati shtatë vite më parë.

Gjykata e Posaçme kishte dënuar me një total prej 130 vitesh burg pesë të pandehur për këtë vrasje. Leonard Duka, i cilësuar nga prokuroria si porositës dhe organizator i krimit, u dënua me 30 vite heqje lirie, ndërsa vëllai i tij Erlis Duka u shpall i pafajshëm.

Për të njëjtën ngjarje u dënuan edhe Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltion Lona, me nga 25 vite burg secili.

Leonard Duka u arrestua në shkurt të vitit 2024 në Belgjikë dhe disa muaj më pas u ekstradua në Shqipëri për t’u përballur me drejtësinë.

Në dosje të ndara janë dënuar edhe persona të tjerë të përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos. Blendi Teta përfundimisht u dënua me 25 vite burg, pas një procesi disa-vjeçar me vendime të ndryshme gjyqësore.

Ndërkohë, Ilir Selmani u dënua me 28 vite burg nga Apeli, pas rikthimit të çështjes për rishqyrtim nga Gjykata e Lartë. Gjatë procesit të rishqyrtimit, Selmani kishte dalë përkohësisht nga paraburgimi për shkak të përfundimit të afateve ligjore të masës së sigurisë dhe ishte vendosur në arrest shtëpie me masa të rrepta kontrolli.

Me vendimin e fundit të Apelit, ai u rikthye në qeli, ndërsa dosja e vrasjes së Santiago Malkos vijon të jetë në proces për pjesën që lidhet me Erlis Dukën.

 

EMISIONET