Real Madridi hap derën për largimin e Asencios/ Huazimi skenari më i mundshëm

Raul Asencio mund të jetë një nga lojtarët që do të largohet nga Real Madridi gjatë merkatos së verës, pasi klubi madrilen ka nisur të shqyrtojë opsionet për të ardhmen e mbrojtësit spanjoll.
Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, “Los Blancos” janë të hapur si për një shitje përfundimtare, ashtu edhe për një huazim, me qëllim që 22-vjeçari tëketë më shumë minuta dhe hapësirë për zhvillim.
Vendimi lidhet kryesisht me konkurrencën e madhe në repartin e mbrojtjes. Pas afrimit të francezit Ibrahim Konaté si lojtar i lirë, hapësirat për Asencion janë ngushtuar edhe më shumë, ndërsa ai renditet pas emrave si Konaté, Dean Huijsen dhe Antonio Rüdiger në hierarkinë e mbrojtësve.
Megjithatë, largimi i tij nga “Santiago Bernabéu” nuk është ende i sigurt. Pengesa kryesore mbetet vetë dëshira e Asencios për të qëndruar në Madrid dhe për të luftuar për një vend në formacion.
Mbrojtësi synon të bindë trajnerin José Mourinho gjatë përgatitjeve parasezonale se mund të jetë një alternativë e rëndësishme për skuadrën.
Nëse situata nuk ndryshon dhe minutat e tij vazhdojnë të jenë të kufizuara, Real Madridi mund të kërkojë një zgjidhje tjetër. Një huazim duket si alternativa më e mundshme, pasi do t’i mundësonte Asencios të luante rregullisht dhe të vazhdonte progresin në karrierë.


