KONTROLL NË BURGUN E DRENOVËS/ Laert Haxhiu gjendet me celular në qeli, pajisja dërgohet për ekspertizë në SPAK

KONTROLL NË BURGUN E DRENOVËS/ Laert Haxhiu gjendet me celular në

Laert Haxhiu, i dënuari me burgim të përjetshëm për “Masakrën e Lushnjes”, është kapur me një telefon celular në qelinë e tij në burgun e Drenovës. Pajisja është sekuestruar dhe i është dërguar SPAK-ut për ekspertizë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, rreth orës 06:00, kur forcat operacionale të burgjeve kanë kryer një kontroll në qelinë e Haxhisë, pas një vlerësimi të bazuar në analizën e rrezikut.

Gjatë kontrollit, sipas të dhënave paraprake, Laert Haxhiu është gjetur duke mbajtur në dorë telefonin celular. Pajisja është marrë nga autoritetet dhe do të verifikohet për të zbuluar komunikimet apo të dhëna të tjera që mund të kenë rëndësi për hetimin.

Ky nuk është rasti i parë ku emri i Haxhisë lidhet me gjetjen e mjeteve të komunikimit në ambientet e burgut, ndërsa autoritetet kanë vijuar kontrollet për parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Laert Haxhia është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në vitin 2017, në atë që njihet si “Masakra e Lushnjes”. Nga atentati mbetën të plagosur edhe Bujar Turku dhe Marius Xhepexhiu.

Për të njëjtën ngjarje janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Të pandehurit janë shpallur fajtorë për vrasje në rrethana cilësuese, pjesëmarrje në grup kriminal, armëmbajtje pa leje dhe prishje të qetësisë publike.

EMISIONET