Arsyeja e vërtetë pse u eliminua Anglia në gjysmëfinale/ Zeka: Mesi dhe organizimi i skuadrës i çuan drejt një fitoreje të merituar

Në një ndeshje me dy tablo dhe plot emocione, Argjentina arriti të triumfojë duke siguruar një vend në finale përballë Spanjës, ndërsa Anglia nuk ia doli dot të siguronte trofeun e shumëdëshiruar.

I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Sport Focus" në  "Ora News", zëdhënësi i Egnatias, Xhevdet Zeka, theksoi se ishte një gjysmëfinale jashtëzakonisht e rëndësishme, me duele të forta, aksione të shumta dhe raste pafund. Edhe pse Anglia e nisi mirë dhe shfaqi freski e epërsi fizike, sidomos në pjesën e parë dhe në fillim të së dytës, gjenialiteti i Messit dhe shpirti luftarak i skuadrës argjentinase bënë diferencën.

Një element kyç në këtë përballje ishte zgjedhja taktike; sipas analistit, trajneri gjerman i Anglisë, Thomas Tuchel, bëri një gabim fatal duke e tërhequr skuadrën mbrapa në momentet vendimtare, duke i lënë hapësirë Argjentinës dhe Messit të vepronin në zonën e rreptësisë.

Kur i lihet kohë dhe hapësirë një lojtari të tillë, fitorja bëhet një mision i pamundur. Në fund, fitorja e Argjentinës u cilësua si plotësisht e merituar, ndërkohë që eliminimi i Anglisë ishte një goditje e dhimbshme për tifozët e saj dhe historinë që përfaqëson në futbollin botëror.

"Në fakt, të jem i sinqertë, ndeshjen e kam parë sot në mëngjes. Dje vetëm e kam dëgjuar sepse për arsye që kishim ndeshjen tonë. Ishte një ndeshje me dy tablo, një ndeshje e mrekullueshme. Një meç i merituar për një gjysmëfinale shumë të rëndësishme dhe shumë prestigjioze. Ishte një ndeshje ku pamë të gjitha ato që prodhon futbolli: driblime, duele, dyluftime, gjuajtje në portë, gola të humbur, gola të shënuar, aksione pafund, një vrull shumë i madh.

Duket sikur Anglia ishte në epërsi, por unë mendoj që kjo ndeshje do të zgjidhej nga kush do të zotëronte mesin e fushës dhe kush do të bënte më pak gabime. Do të zgjidhej nga gjëra, elementë apo momente të veçanta, ashtu siç dhe ndodhi. Natyrisht Anglia ishte më e re, më e freskët, më e fuqishme dhe luajti mirë pjesën e parë, dhe sidomos në pjesën e dytë në fillimin e saj, por pastaj Mesi dhe kompani dinë atë që të bëjnë me shpirtin luftarak, me një futboll të mirëorganizuar, të mirëmenduar.

I çoi ata drejt një fitoreje të merituar, shumë të merituar ndaj një ekipi evropian që me të vërtetë më dhëmbi. Pavarësisht se unë jam tifoz i Mesit, po kjo s'ka të bëjë fare me punën, më dhëmbi që Anglia u eliminua.

Kisha shumë shpresë se do të isha në finale edhe për historinë e saj, edhe për atë çfarë i jep futbollit botëror dhe atë çfarë prodhojnë klubet angleze. Por edhe këtë radhë nuk qeshën, edhe pse një skuadër e mirëorganizuar dhe e mirë."- u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE  



EMISIONET