L*FTË PËR TERRITORIN/ Haxhimali: Gabimi i pafalshëm i komisionit, duhet të miratoheshin fillimisht 10 kriteret bazë

L*FTË PËR TERRITORIN/ Haxhimali: Gabimi i pafalshëm i komisionit,

Një situatë kritike po shoqëron hapat e fundit të reformës territoriale në vend, ku përplasjet mes palëve politike po dëmtojnë rëndë interesin publik. Ndonëse afati i datës 23 po afron me shpejtësi, një e vërtetë e hidhur ka dalë në dritë: komisioni i ngarkuar për këtë proces ka punuar deri më tani pa asnjë kriter të përcaktuar.

I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Eksperti i Cështjeve Vendore, Agron Haxhimali, i cili e cilësoi si një gabim të pafalshëm të dy bashkëkryetarëve, të cilët duhet të kishin miratuar që në fillim strukturën dhe kornizën bazë të punës.

Gara e ethshme mes maxhorancës dhe opozitës shpesh komentohet si një përpjekje për të rrokur avantazhe elektorale, por theksohet se shtimi apo mbyllja e disa bashkive nuk garanton asnjë fitore në zgjedhje. Rezultati i kutive të votimit varet nga potenca e alternativave politike dhe jo nga një hartë e re e vizatuar mbi tryezë. Qëllimi kryesor i kësaj reforme nuk duhet të jetë fati i partive, por modeli më i mirë i qeverisjes.

Fokusi duhet të mbetet tek afrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, pavarësisht nëse ata jetojnë në zona rurale, malore apo urbane, duke synuar një balancë reale territoriale nga veriu në jug.

Ndërkohë që palët vazhdojnë të shpenzojnë kohë pa asnjë produktivitet, evidentohet nevoja emergjente për t'u ulur në tryezë e për të gjetur gjuhën e konsensusit. Në vend të debateve të parakohshme për numrin e bashkive, komisioni duhej t'u jepte përparësi analizave të thella teknike. Qëllimi final duhej të ishte një model që i përshtatet historisë, traditës dhe gjeografisë shqiptare, i krahasueshëm plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian.

Çdo skenar tjetër që kalon vetëm me votat e njëanshme, ndonëse mund të jetë ligjërisht korrekt, do të përkthehej në një kosto tepër të lartë për jetën publike dhe menaxhimin e pushtetit vendor.

"Nuk kam preferuar dhe nuk do të dëshiroja që kjo reformë të shkonte në seancën e fundit të datës 23 vetëm me propozimin e grupit deputetësh të Partisë Socialiste, çka nga pikëpamja ligjore është korrekte.

Por nga pikëpamja e investimit në kohë, në financa, investimit publik, mediatik, të jetës dhe ekonomisë parlamentare... por dhe të faktit që ka nevojë për një çlirim të kësaj trysnisë armiqësore dhe të këtij konflikti ndërmjet palëve duke shkuar në një ide që gjërat mund të zgjidhen dhe në mënyrë konsensuale për një të mirë të përbashkët të pushtetit vendor, për një të mirë të përbashkët publike, do të dëshiroja që edhe gjej rastin t'i bëj apel bashkëkryetarëve që të ulen.

Kemi kohë, nuk jemi në ekstremet, të gjejnë dhe pak kohë të miratojnë 10 kritere, për të cilën deri më tani komisioni ka punuar pa kritere dhe është një gabim i pafalshëm i gjithë komisionit dhe i dy bashkëkryetarëve që në fillim të punës duhet të miratonin strukturën, kornizën bazë dhe kriteret me të cilën ekspertët do të bënin propozimet.

Kjo nuk ka ndodhur në fakt. Por megjithatë ka, ka dhe ca kohë që të dalin palët, të bindin njëri-tjetrin, të gjejnë atë që është modeli më i mirë, jo i hartës, modeli më i mirë i qeverisjes, jo i hartës, modeli më i mirë që shpërndan shërbime, jo harta fizike, gjeografike, po modeli më i mirë që përfaqëson qytetarët kudo që ato jetojnë qoftë në zonat rurale apo malore qoftë në zonat urbane, të përfaqësojë shërbimet dhe interesat e komunitetit, të nxisë zhvillimin ekonomik, të krijojë një balancë territoriale të barabartë nga jugu në veri, një balancë të barabartë midis zonave urbane dhe zonave rurale.

Ky ishte dhe qëllimi i atij komisioni."- u shpreh ai.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE 

 

EMISIONET