Mali i Zi shtrëngon rregullat për rusët/ Nga 1 tetori kërkohet vizë për hyrjen në vend

Mali i Zi ka vendosur t’i japë fund regjimit pa viza për qytetarët rusë, duke bërë që nga 1 tetori shtetasit e Rusisë të kenë nevojë për vizë për të udhëtuar drejt këtij vendi.
Sipas mediave malazeze, vendimi prek gjithashtu qytetarët e Bjellorusisë dhe Perusë, të cilët nuk do të mund të përfitojnë më nga hyrja pa viza në Mal të Zi.
Ky ndryshim i jep fund një periudhe gati 18-vjeçare të lëvizjes së lirë mes Rusisë dhe Malit të Zi, një marrëdhënie që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e numrit të turistëve rusë në bregdetin malazez.
Vendimi vjen si pjesë e përpjekjeve të Podgoricës për të harmonizuar politikën e saj të vizave me standardet e Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Për vite me radhë, turistët rusë kanë qenë një nga grupet më të rëndësishme të vizitorëve në Mal të Zi, veçanërisht gjatë sezonit veror. Tashmë, ata do të duhet të ndjekin procedura shtesë për marrjen e vizave përpara udhëtimit.
Heqja e regjimit pa viza shënon një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet e udhëtimit mes dy vendeve dhe kufizon një nga rrugët më të lehta të hyrjes së qytetarëve rusë në Ballkan.


