H*lmimi i kursantëve në Akademinë e Sigurisë/ AKU zhbllokon aktivitetin e ‘Sori-Al’: Analizat, konform standardeve të sigurisë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka lejuar rikthimin në aktivitet të kompanisë së kateringut “Sori-Al”, pas masës së pezullimit të marrë në qershor, pas dyshimeve për helmimin e 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.
Sipas AKU-së, analizat laboratorike të 33 mostrave të marra nga ushqimet e përgatitura për drekë dhe darkë, si dhe nga ambientet dhe pajisjet e punës, kanë rezultuar brenda normave të sigurisë ushqimore.
Pas verifikimeve të kryera dhe rezultateve konforme të analizave të vetëkontrollit nga subjekti, si dhe kontrolleve të mëtejshme nga inspektorët e AKU-së, është vendosur zhbllokimi i aktivitetit të kompanisë “Sori-Al”.
AKU thotë se kompania lejohet të vijojë aktivitetin e gatimit dhe furnizimit me ushqime në ambientet e kuzhinës brenda Garnizonit “Skënderbej”, Tiranë.
Më herët gjatë muajit maj, u helmuan edhe 52 studentë të tjerë të Akademisë së Sigurisë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të informimit publik dhe transparencës bën me dije, se referuar çështjes për dyshim helmimi të disa kursantëve, pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk ka kampionuar më datë 25 .06.2026, 14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, në adresën Garnizoni “Skënderbej” Tiranë 14 mostra nga vakti i drekës dhe darkës, si dhe 5 mostra tamponë higjienë ambientale dhe të pajisjeve.
Nga laboratori i Referencës ISUV jemi informuar, se nga analizimi në total i 33 mostrave për treguesit mikrobiologjik kanë rezultuar brenda normave.
Në vijim të ndjekjes se problematikes në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, për të cilin ishte marrë masë me ndërprerje aktiviteti, subjekti Sori-al ka bërë analiza autokontrolli tampone ambjental të ambjenteve, pajisjeve dhe punonjësve të cilat kane dalë konform kërkesave ligjore.
AKU më 10.7.2026 pas njoftimit të subjektit për rezultatet e analizave të vetëkontrollit , ka kryer inspektim në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, gjatë së cilit ka marrë sërish 3 mostra tampon ambiental, të cilat u dërguan, për analizim pranë laboratorit të ISUV.
Me daljen e rezultatit të analizave konforme për kushtet e higjienës dhe të sigurisë ushqimore, për mostrat kontroll zyrtar të kampionuara me datë 25.06.2026 dhe të mostrave të marra me datë 10.07.2026 në subjektin ”Sori-Al” në adresen Akademia e Forcave te Armatosura Garnizoni “Skenderbej”, AKU ka kryer zhbllokimin e aktivitetit të subjektit ”Sori-Al” dhe OBU-së i lejohet të vijojë ushtrimin e aktivitetit të gatimit te ushqimeve në ambientet e kuzhinës që ndodhet brenda ambienteve të Garnizonit “Skenderbej”.

