EKONOMIA KINEZE VIJON RRITJEN/ PBB-ja u zgjerua me 4.7 %! Teknologjia, industria dhe eksportet motorët kryesorë të zhvillimit
Ekonomia kineze vijon të tregojë qëndrueshmëri, pavarësisht pasigurive në tregjet ndërkombëtare. Sipas të dhënave zyrtare, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4.7 për qind në gjysmën e parë të vitit 2026, ndërsa eksportet dhe prodhimi industrial shënuan rezultate pozitive. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përmirësuar parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës këtë vit.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë vijon të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje, pavarësisht sfidave që po përballet ekonomia globale.
Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 4.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke arritur në 69.57 trilionë juanë, ose rreth 10.28 trilionë dollarë amerikanë. Norma e rritjes mbetet brenda objektivit vjetor të vendosur nga qeveria.
Vetëm gjatë tremujorit të dytë, ekonomia kineze u zgjerua me 4.3 për qind. Autoritetet vlerësojnë se aktiviteti ekonomik ka mbetur i qëndrueshëm, pavarësisht tensioneve gjeopolitike, luhatjeve të çmimeve të energjisë dhe sfidave në tregtinë ndërkombëtare.
Të dhënat zyrtare tregojnë se prodhimi industrial u rrit me 5.4 për qind, ndërsa sektorët e teknologjisë së lartë dhe prodhimit të pajisjeve shënuan ritme rritjeje dukshëm mbi mesataren kombëtare.
Sipas statistikave, ekonomia digjitale, prodhimi i avancuar dhe shërbimet moderne kontribuuan me mbi 40 për qind në rritjen ekonomike të vendit, duke konfirmuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të sektorëve inovativë në zhvillimin e Kinës.
Pozitive paraqiten edhe shifrat e tregtisë së jashtme. Gjatë gjashtëmujorit të parë, tregtia e Kinës u rrit me 16.9 për qind në baza vjetore, duke arritur një rekord prej 25.47 trilionë juanësh.
Besimin te qëndrueshmëria e ekonomisë kineze e ka reflektuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka përmirësuar parashikimin për rritjen ekonomike të Kinës në 4.6 për qind për vitin 2026.
Në të njëjtën kohë, FMN-ja ka ulur parashikimin për ekonominë globale në 3 për qind, duke theksuar kontrastin mes qëndrueshmërisë së ekonomisë kineze dhe ngadalësimit të rritjes në shumë vende të tjera të botës.


