Presidenti Trump në finalen e Kupës së Botës, FIFA i beson dorëzimin e trofeut

Presidenti Trump në finalen e Kupës së Botës, FIFA i beson

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të marrë pjesë për herë të parë, në një ndeshje të Kupës së Botës, duke ndjekur finalen e së dielës mes Spanjës dhe Argjentinës në East Rutherford, Nju Xhersi.

Sipas presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti Trump do t’i dorëzojë trofeun kapitenit të skuadrës fituese, që pritet të jetë ose Lionel Messi për Argjentinën, ose Rodri për Spanjën.

Ndryshe nga ceremonitë e mëparshme, ku drejtuesit e shteteve dhe zyrtarët e FIFA-s, vetëm përshëndesnin ekipet fituese, këtë herë Trump do të jetë ai që do të dorëzojë trofeun e Kupës së Botës.

Marrëdhënia e ngushtë mes Trump dhe Infantino ka tërhequr vëmendje. Më herët, Infantino i ka dhënë Trump, një trofe të artë dhe një medalje gjatë ceremonisë së shortit të Kupës së Botës, ndërsa një kopje e trofeut të Kupës së Botës ndodhet në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë këtij turneu, polemika më e madhe lidhej me një telefonatë të Trump me Infantino, ku presidenti amerikan sugjeroi rishikimin e kartonit të kuq të futbollistit amerikan Folarin Balogun.

Si Trump ashtu edhe Infantino, i hodhën poshtë pretendimet se, presidenti i FIFA-s kishte ndikuar në vendimin disiplinor.

Trump ka dorëzuar edhe më parë një trofe të FIFA-s. Vitin e kaluar ai i dorëzoi “Kupën e Botës për Klube” kapitenit të Chelseat, Reece James, dhe më pas qëndroi në podium gjatë festimeve, në kundërshtim me protokollin.

Një tjetër element, që ka ngjallur debat është vendimi i FIFA-s që këngëtarja Jennifer Hudson të interpretojë himnin amerikan para finales.

Ndryshe nga tradita e Kupës së Botës, ku himni i vendit organizator zakonisht, nuk këndohet para finales, këtë herë ceremonia do të ndjekë modelin e ngjarjeve të mëdha sportive amerikane, si “Super Bowl”.

Prania e Trump në stadium, mund të shkaktojë reagime të përziera nga tifozët.

Në ngjarje të tjera sportive ai është pritur si me duartrokitje, ashtu edhe me fishkëllima, ndërsa nuk pritet të ketë mbështetje të madhe as nga tifozët e Spanjës dhe Argjentinës.

EMISIONET