(LISTA E EMRAVE) KUPOLA E RE DREJTUESE NË PD/ Flamur Noka siguron një tjetër mandat si Sekretar i Përgjithshëm, ja drejtuesit e rinj

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka zgjedhur drejtuesit e rinj të partisë, duke i besuar Flamur Nokës një tjetër mandat katërvjeçar në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Noka fitoi garën me 184 vota, ndërsa rivali i tij, deputeti Saimir Korreshi, mori 84 vota.
Në garën për nënkryetar nga strukturat, Belind Këlliçi u shpall fitues me 177 vota, duke lënë pas Luçiano Boçin, i cili mori 113 vota.
Agron Gjekmarkaj dhe Gazment Bardhi do të vijojnë të mbajnë postet e nënkryetarëve të Partisë Demokratike.
Këshilli Kombëtar votoi edhe për sekretariatet e partisë. Klevis Balliu u zgjodh sekretar Organizativ me 197 vota, Andi Mustafaj sekretar për Burimet Njerëzore me 192 vota, ndërsa Ylli Asllani fitoi postin e sekretarit për Pushtetin Vendor me 179 vota.
Në postet e tjera drejtuese u zgjodhën Etion Kapedani si sekretar për Dixhitalizimin, Marash Logu për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Endira Bushati për Çështjen e Pronave, Viola Kapedani për Marrëdhëniet me Publikun, Franc Nuri për të Drejtat e Njeriut, Eva Metaj për Organizatat Partnere, Shkëlqim Lepenica për të Përndjekurit Politik, Fjoralba Dizdari për Integrimin Europian, Et'hem Aga për Diasporën dhe Erges Eskiu për Aksionin Qytetar.
Ndërkohë, në përbërjen e Komisionit të Apelimit u renditën pesë kandidatët më të votuar: Adriana Kalaja, Besart Logu, Shaqir Manjani, Suina Asllanaj dhe Gentian Koçi.


