Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë te shqiptarët në Luginë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke thënë se ato kanë shkaktuar shqetësim dhe pasiguri te shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Në një intervistë për mediat, Kamberi deklaroi se qëndrimet e ministres serbe nuk mund të shihen si deklarata të zakonshme, pasi ajo mban një post institucional dhe mbulon fusha që lidhen me administratën publike dhe regjistrat qytetarë e zgjedhorë.
Sipas tij, deklaratat e Paunoviqit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndjenjën e sigurisë së shqiptarëve në Luginë, duke rritur frikën për politikat që mund të ndikojnë në të drejtat dhe statusin e tyre.
“Kur një deklaratë e tillë vjen nga një ministre përgjegjëse për të drejtat qytetare dhe nga një qeveri që hesht, shqetësimi është real”, ka deklaruar Kamberi.
Ai tha se ka nisur procedurat për shkarkimin e ministres serbe, duke kërkuar mbështetjen e deputetëve opozitarë dhe të forcave politike pro-evropiane në Serbi.
Sipas Kamberit, vendimi për largimin e Paunoviqit nga detyra do të varet edhe nga qëndrimi politik i presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe nga reagimi i Bashkimit Evropian.
Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet për relativizimin e deklaratave të ministres, duke thënë se një pjesë e politikës serbe ende nuk është shkëputur nga retorika e viteve ’90.
Kamberi theksoi se beteja politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të vijojë, duke kërkuar reagime konkrete nga institucionet ndërkombëtare kundër çdo politike që, sipas tij, cenon bashkëjetesën dhe të drejtat e komuniteteve.



