SI SOT/ "200 lekë Tan Agollit për një orë parkim në QSUT dhe të njëjtat probleme"

Më 16 korrik 2025, publikuam faktin se tarifa e parkimit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) ishte dyfishuar, duke kaluar nga 100 në 200 lekë për orë. Rritja hyri në fuqi pa një njoftim zyrtar për qytetarët, ndërsa sipas denoncimeve të asaj kohe, ndryshimi u komunikua vetëm verbalisht nga punonjësit e sporteleve të parkimit.
Një vit më pas, më 16 korrik 2026, tarifa mbetet 200 lekë për orë, ndërsa qytetarët vijojnë të përballen me të njëjtat problematika që shoqëronin parkimin edhe para rritjes së çmimit.
Pavarësisht kostos më të lartë, infrastruktura e parkimit vazhdon të jetë larg standardeve. Rrugët e brendshme mbeten të amortizuara dhe me zhavorr, mungojnë kamerat e sigurisë, ndërsa gjetja e një vendi parkimi është shpesh e vështirë, sidomos gjatë orëve të pikut.
Në disa raste janë raportuar edhe vonesa në hyrjen e autoambulancave për shkak të trafikut të krijuar brenda territorit të parkimit dhe mungesës së një korsie të dedikuar për mjetet e urgjencës.
Territori i parkimit vijon të administrohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), me drejtor Dritan Agolli. Edhe pas një viti, qytetarët kërkojnë që institucioni të investojë në përmirësimin e kushteve, duke garantuar siguri më të madhe, shtim të kapaciteteve të parkimit, organizim më të mirë të qarkullimit dhe krijimin e një korsie të veçantë për ambulancat.
Në mungesë të alternativave të tjera pranë QSUT-së, pacientët dhe familjarët e tyre mbeten të detyruar të përdorin këtë parkim, duke paguar një tarifë më të lartë për një shërbim që, sipas tyre, nuk ka pësuar përmirësime të dukshme. /Marrë nga "JOQ Albania"
Shënim: Ky material nuk është prodhim editorial i "Oranews.tv", por është ripublikuar nga "JOQ Albania" për qëllim informimin e publikut mbi një çështje të pretenduar me interes publik. Përmbajtja e tij, përfshirë çdo pretendim, deklaratë, akuzë dhe opinion i atribuohet "JOQ Albania". "Oranews.tv" mbetet e hapur për të publikuar çdo reagim, sqarim ose përgënjeshtrim nga personat, apo subjektet e përmendura në material, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


