Sulejman Mema denoncon për foton: Erion Veliaj më kërcënoi për letrën në FIFA

Zgjedhjet në FSHF po prodhojnë tension të madh sidomos pas përfshirjes tashmë hapur të politikës dhe konkretisht të Erion Veliajt në këtë garë.
Ditën e sotme, FSHF zbuloi letrën ku Shoqata e Futbollit të Tiranës ka dërguar në FIFA një ankesë për ndërhyrjet, shantazhe dhe kërcënimet që ka marrë nga Bashkia e Tiranës dhe Erion Veliaj.
Por pak orë pas kësaj letre një foto e kryetarit të kësaj Shoqate, Sulejman Mema me Veliajn bëri zhurmë të madhe teksa vet ish trajneri dhe një nga emrat e shquar të futbollit shqiptar ka zbuluar të vërtetën.
Në një intervistë për Newsport.al, vetë ai e ka pranuar hapur se Erion Veliaj e ka kërcënuar për letrën e mësipërme teksa sqaron dhe pozicionin e tij në këtë Shoqatë.
“Përshëndetje zoti Mema. Sot kryebashkiaku Veliaj ka postuar një foto ku qëndronit së bashku me të. A mund të na tregoni se çfarë ka ndodhur?
Kam pasur një takim ditën e sotme me zotin Veliaj. Kemi folur për situatën aktuale dhe tensionin e krijuar.
– Po çfarë iu tha konkretisht?
Më ka thënë që do t’iu çojmë në Prokurori për këto deklarata që keni bërë dhe shkresën e dërguar në FIFA.
– Po si mund të ndërhyjë politika në futboll?
Unë i thashë që jemi të gatshëm ta ndjekim këtë çështje në çdo rrugë ligjore.
– Ndërkohë i keni dhënë fund qëndrimit në krye të Shoqatës Rajonale të Tiranës. Pse ky vendim i juaji në një moment kaq delikat?
Mua më ka mbaruar mandati si Kryetar i Shoqatës. Do të mblidhemi të bëjmë analizën vjetore.
– A do të vazhdoni të jeni pjesë e Shoqatës?
Sigurisht që po! Do të vijoj të jem anëtar i saj.
– Tension i madh para zgjedhjeve të FSHF-së. Jeni pro apo kundër presidentit Duka?
Në këto zgjedhje mbështes dhe jam me presidentin Duka. Jam gjithashtu një punonjës i Federatës Shqiptare të Futbollit./Ora News