Stuhi dhe rrufe në Miami, rrezikohet shtyrja e Norvegji-Angli në çerekfinalen e Botërorit

Ndeshja mes Norvegjisë dhe Anglisë, e vlefshme për çerekfinalet e Botërorit, mund të mos nisë në orarin e planifikuar. Kushtet atmosferike në zonën e “Miami Stadium” kanë ngritur shqetësime për organizatorët, pasi parashikohen stuhi me shkarkesa elektrike.
Sfida është programuar të nisë në orën 23:00, por moti i keq mund të detyrojë FIFA-n të shtyjë fillimin e takimit për arsye sigurie.
Për Anglinë kjo situatë nuk do të ishte një përvojë e re në këtë Botëror. Në ndeshjen e mëparshme ndaj Meksikës, fillimi i takimit u shty me rreth një orë për shkak të kushteve atmosferike.
Parashikimet e motit për zonën pranë stadiumit sinjalizojnë mundësi për stuhi dhe rrufe, çka ka bërë që organizatorët të monitorojnë nga afër situatën përpara vendimit përfundimtar.
Rregullorja e sigurisë parashikon ndërprerjen ose shtyrjen e ndeshjes në rast se zbulohet aktivitet rrufesh brenda një rrezeje prej rreth 8 kilometrash nga stadiumi.
Në një situatë të tillë, lojtarët duhet të largohen nga fusha për të paktën 30 minuta. Pas rikthimit, skuadrat kanë të drejtë të zhvillojnë një periudhë nxehjeje prej 15 minutash përpara rifillimit të lojës.
Vendimi përfundimtar do të varet nga kushtet reale të motit në momentin e afrimit të orarit të ndeshjes.


