Interi ndalon prezantimin e Anan Khalailit, testet mjekësore shtesë ngrenë dyshime për transferimin

Interi nuk do të prezantojë për momentin Anan Khalailin si lojtarin e ri të skuadrës. Prezantimi i anësorit izraelit është shtyrë pasi Instituti i Mjekësisë Sportive CONI ka kërkuar ekzaminime të tjera mjekësore.
Kontrollet shtesë lidhen me disa shqetësime të natyrës kardiake, një çështje që në futbollin italian trajtohet me shumë kujdes për shkak të standardeve të rrepta mjekësore.
Khalaili shihet si një investim i rëndësishëm për Interin, i cili e konsideron 21-vjeçarin si një nga alternativat për të ardhmen në krahun e djathtë pas largimit të mundshëm të Denzel Dumfries.
Megjithatë, zyrtarizimi i tij është vendosur në pritje derisa të përfundojnë testet e reja mjekësore. Vizitat pritet të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme, pas të cilave do të merret edhe vendimi përfundimtar.
Kartoni i Khalailit është në pronësi të klubit belg Union Saint-Gilloise, ndërsa Interi mbetet optimist se kontrollet do të përfundojnë pa probleme dhe transferimi do të realizohet.
Deri në marrjen e rezultateve përfundimtare, klubi zikaltër nuk mund të kryejë prezantimin zyrtar të lojtarit.


