ME SHUMË EMRA I FSHIHEJ SPAK-UT/ I shumëkërkuari përdorte emrat Eni Koçi dhe Fiorini Ismaili

Eni Koçi dhe Fiorini Ismaili dyshohen se janë dy identitetet që përdorte i kërkuari nga SPAK, Adi Çoba, për t’iu fshehur policisë me qëllim shmangien e arrestimit të tij. Por, ndryshe nga herët e tjera, ndalimin në Durrës e bëri BKH, e cila Cobës i sekuestroi 3 aparate celulare që pritet të zbërthehen për të mësuar mbi lidhjet e tij si i përfshirë në trafikun e drogës.

Adi Çoba, i shumëkërkuari i SPAK-ut, për të cilin kishte më shumë se një vit që fshihej në Durrës, rezulton të ketë përdorur dy identitete për të mos u pikasur nga forcat e policisë. Burime për Ora Neës bëjnë me dije se Coba përdorte karta identiteti dhe leje drejtimi, një italiane, me emrat Eni Koçi dhe Fiorini Ismaili.

Pikërisht këto dy karta duket se e kanë shpëtuar disa herë nga arrestimi, deri sa në Durrës, për herë të parë, u organizua një operacion nga vetë agjentët e BKH-së, të cilët i vunë prangat.

Rezulton se operacioni i agjentëve specialë u zhvillua rreth orës 21:30 në Lagjen 13 të Durrësit, ku pas disa ditësh vëzhgimi ndaluan një makinë, në drejtimin e së cilës ishte Adi Coba.

Përveç dy identiteteve të dyshuara si të falsifikuara, BKH i gjeti trafikantit shqiptar edhe një armë zjarri, si dhe 40 fishekë që i mbante me vete. Kjo armë është dërguar në Policinë Shkencore për kryerjen e një ekspertimi teknik-balistik, rezultatet e të cilit më pas do t’i përcillen SPAK-ut.

Përveç armës së zjarrit, Cobës i janë sekuestruar edhe 3 aparate celulare, të cilat më pas janë dërguar në laboratorin pranë SPAK-ut për t’u zbërthyer. Një USB dhe 3 fletë me shënime janë gjithashtu prova që pritet të zbardhen me më shumë detaje në ditët në vijim.

Përveç akuzës së parë, atë të "Trafikimit të lëndëve narkotike" dhe "Organizatës kriminale", ndaj Cobës Prokuroria e Durrësit ka ngritur edhe akuzat për "Falsifikimin e dokumenteve", "Falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave", si dhe "Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit".

Më 21 maj 2025, SPAK dhe Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit, me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Policisë së Shtetit, ekzekutuan 52 urdhër-arreste ndaj personave të akuzuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale dhe krime të tjera të lidhura me to.

EMISIONET