Rritje 13-fish e postimeve abuzive ndaj pjesëmarrësve në Kupën e Botës

Numri i postimeve abuzive në rrjetet sociale të drejtuara ndaj futbollistëve, trajnerëve dhe zyrtarëve të Botërorit 2026 është rritur 13 herë krahasuar me të njëjtën fazë të Kupës së Botës 2022, sipas të dhënave të publikuara nga FIFA.
Shërbimi i Mbrojtjes së Medieve Sociale (SMPS), i krijuar nga FIFA për të mbrojtur pjesëmarrësit nga abuzimet online, ka identifikuar dhe bllokuar rreth 89 mijë postime të verifikuara si fyese ose abuzive gjatë fazës së grupeve të turneut.
Për krahasim, në të njëjtën periudhë të Botërorit të Katarit në vitin 2022 ishin evidentuar vetëm 6 700 postime të tilla. Edhe pse edicioni i këtij viti ka 48 skuadra, kundrejt 32 në vitin 2022, FIFA e cilësoi rritjen si shqetësuese.
Sipas organizatës, rreth 11% e postimeve abuzive kishin përmbajtje raciste. Inteligjenca artificiale sinjalizoi fillimisht 225 mijë postime për verifikim nga specialistët, ndërsa 89 mijë prej tyre u konfirmuan si abuzive.
FIFA bëri të ditur se rreth 1 000 llogari janë referuar për hetime të mëtejshme, ndërsa janë identifikuar mbi 100 raste që plotësojnë kriteret ligjore për përgatitjen e dosjeve penale dhe bashkëpunimin me autoritetet ligjzbatuese.
Në total, gjatë fazës së grupeve të Botërorit 2026 janë fshehur nga moderimi mbi 2 milionë komente me përmbajtje fyese ose diskriminuese, një rritje prej 400% krahasuar me të njëjtën fazë të Botërorit 2022.
Shërbimi SMPS është në dispozicion të të gjitha ekipeve, futbollistëve, trajnerëve dhe arbitrave pjesëmarrës në Botëror, me synimin për t’i mbrojtur ata dhe ndjekësit e tyre nga përmbajtjet diskriminuese, urrejtëse dhe ofenduese në rrjetet sociale.


