Pse Kupa e Botës ka pasur dy trofe? Historia e simbolit legjendar të futbollit

Pse Kupa e Botës ka pasur dy trofe? Historia e simbolit legjendar të

Pse ekzistojnë dy versione të trofeut të Kupës së Botës? Cila është historia që pas trofeut më të famshëm në futboll?

Në historinë e Kupës së Botës, shumë legjenda kanë ngritur trofeun më të çmuar të futbollit, por pak flitet për vetë trofeun – dhe për faktin se ai ekziston në dy versione të ndryshme, shkruan BBC.

Të dy trofetë lidhen me zhvillimin e turneut më të madh të futbollit në botë dhe me ndryshimet që ka pësuar FIFA gjatë dekadave.

Trofeu origjinal “Jules Rimet”

Trofeu i parë i Kupës së Botës u prezantua në vitin 1930, kur FIFA organizoi turneun e parë botëror nën drejtimin e presidentit të atëhershëm Jules Rimet, nga i cili mori edhe emrin.

Ai ishte presidenti më jetëgjatë i FIFA-s, duke e drejtuar organizatën për 33 vite (1921–1954).

Trofeu u dizenjua nga skulptori francez, Abel Lafleur dhe paraqiste perëndeshën greke të fitores, Nike, që mbante një kupë të ngritur lart.

Ai ishte i punuar me argjend, të veshur me ar, dhe i vendosur mbi një bazë prej guri të çmuar ngjyrë blu.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të mos rënë në duart e nazistëve, trofeu u fsheh nga zyrtari italian i futbollit, Ottorino Barassi, i cili e mbajti atë, në një kuti këpucësh nën shtratin e tij në Romë.

Një nga historitë më të famshme, ndodhi para Botërorit të vitit 1966 në Angli, kur trofeu u vodh gjatë një ekspozite publike.

Ai u gjet disa ditë më vonë nga një qen i quajtur Pickles, i mbështjellë me gazetë dhe i fshehur nën një shkurre, në Londrën jugore.

Në vitin 1970, Brazili e fitoi trofeun përgjithmonë, pasi u bë kombëtarja e parë, që fitoi tre herë Kupën e Botës.

Por, historia e tij nuk përfundoi aty. Në vitin 1983, trofeu u vodh sërish nga selia e Federatës Braziliane të Futbollit në Rio de Zhaneiro dhe nuk u gjet më kurrë. Mendohet se mund të jetë shkrirë.

Trofeu modern i Kupës së Botës

Pas zhdukjes së trofeut të parë, FIFA kishte prezantuar tashmë një dizajn të ri modern.

Trofeu i ri u krijua nga artisti italian, Silvio Gazzaniga dhe u përdor për herë të parë, në Botërorin e vitit 1974, kur Gjermania Perëndimore u shpall kampione.

Ai është 36 centimetra i lartë, i punuar në ar 18 karatësh dhe paraqet dy figura njerëzore që mbajnë globin – një simbol i unitetit global përmes futbollit.

Sipas FIFA-s, dizajni pasqyron shpirtin unifikues dhe universal të futbollit.

Pas humbjes së trofeut të vjetër, FIFA vendosi që trofeu modern, përfundimisht të mos i jepet më asnjë kombi.

Fituesit e Kupës së Botës e ngrenë trofeun origjinal gjatë ceremonisë, por më pas marrin një kopje të tij të veshur me ar, për ta mbajtur.

Një trashëgimi e mbrojtur më mirë

Sot, trofeu ruhet nën masa shumë të rrepta sigurie dhe është një nga objektet më të mbrojtura në sport, duke reflektuar mësimet e marra nga historia e tij e trazuar – mes lavdisë, vjedhjeve dhe zhdukjeve misterioze. 

EMISIONET