Gjermania jep leksion në Botëror, ndërsa Spanja dhe Zvicra ngecin ndaj surprizave!

Gjermania jep leksion në Botëror, ndërsa Spanja dhe Zvicra ngecin

 Ndeshjet e para të Kupës së Botës 2026 kanë prodhuar surpriza të mëdha, duke vënë në siklet disa nga kombëtaret favorite për trofeun. Pas barazimit 1-1 të Zvicrës ndaj Katarit, edhe Spanja dështoi të marrë më shumë se një pikë, duke u ndalur në një barazim pa gola kundër Kepit të Gjelbër, një ekip i renditur shumë më poshtë në klasifikimin botëror të FIFA-s.

Kampionët e Evropës dominuan posedimin e topit, por nuk arritën të gjenin zgjidhje për të thyer mbrojtjen e kundërshtarëve. Madje as hyrja në lojë e talentit Lamine Yamal nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e sfidës, ndërsa Kepi i Gjelbër festoi një rezultat historik.

Në kontrast të plotë me rivalët e saj, Gjermania tregoi seriozitet maksimal në përballjen me Kuraçaon. Ekipi i drejtuar nga Julian Nagelsmann fitoi me rezultatin e thellë 7-1, duke mos i lënë asnjë moment shprese kundërshtarit.

Tekniku gjerman kishte paralajmëruar para turneut se ekipi i tij duhej të shmangte gabimet e Botërorëve të fundit, ku Gjermania u eliminua që në fazën e grupeve.

Këtë herë, "Pancerat" hynë në fushë me intensitet të lartë, presion konstant dhe dëshirë për të vulosur fitoren që në minutat e para.

Rezultatet e Zvicrës dhe Spanjës kanë bërë që triumfi i Gjermanisë të marrë edhe më shumë peshë. Edhe pse është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi favoritët kryesorë të turneut, kombëtarja gjermane ka dhënë sinjalin se ka mbërritur në Kupën e Botës me ambicie të mëdha dhe me vendosmërinë për të mos përsëritur zhgënjimet e së kaluarës.

Java e parë e Botërorit ka treguar se asnjë kundërshtar nuk duhet nënvlerësuar dhe se emri i madh nuk garanton fitore. Deri tani, Gjermania është skuadra që ka kuptuar më mirë këtë mesazh.

EMISIONET