Napoli-Galatasaray, zbardhen prapaskenat për Osimhen, presidenti turk në Itali, por De Laurentiis nuk lëshon pe

E ardhmja e Victor Osimhen-it është rikthyer në qendër të merkatos evropiane.
Pas javësh bisedimesh në distancë, tashmë negociatat mes Napolit dhe Galatasaray-t kanë hyrë në një fazë vendimtare.
Presidenti i klubit turk, Abdullah Kavukçu, ndodhet në Itali, i shoqëruar nga ndërmjetësi George Gardi, me qëllim për të mbyllur marrëveshjen për sulmuesin nigerian.
Megjithatë, takimi nuk parashikohet i lehtë. Napoli, me presidentin Aurelio De Laurentiis, nuk ka ndërmend të bëjë asnjë lëshim financiar.
Klauzola prej 75 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë dhe që skadon brenda një jave, është “vija e kuqe” e vendosur nga drejtuesit e klubit napolitan.
Oferta aktuale e Galatasaray-t nuk e kalon kufirin e 60 milionë eurove, dhe kjo e bën marrëveshjen të ndërlikuar.
Nga ana tjetër, Osimhen ka qenë i qartë në qëndrimin e tij: dëshiron të qëndrojë në Stamboll.
Ai ka arritur tashmë një marrëveshje personale me Galatasaray-n për një kontratë që do ta mbajë të lidhur me klubin deri më 30 qershor 2028.
Në këtë situatë, presidenti Kavukçu po luan kartën e vullnetit të lojtarit për të bindur Napolin.
Ndërkohë, edhe klube të tjera ndjekin me interes zhvillimet.
Al Hilal, që kishte ofruar një pagë marramendëse prej 40 milionë eurosh në sezon, është refuzuar nga vetë lojtari, duke humbur kështu çdo shpresë për ta transferuar në Arabinë Saudite.
Juventusi, pavarësisht afrimit të Jonathan David, vazhdon të kërkojë një emër të madh për repartin ofensiv, por Napoli ka lëshuar një tjetër sinjal të qartë: për klube brenda Italisë, çmimi i Osimhen është 95 milionë euro, shifër e barabartë me atë që Juvja pagoi për Higuain-in në vitin 2016.
Tani gjithçka varet nga lëvizjet e ditëve në vijim. Galatasaray është gati të bëjë gjithçka për të mbajtur ‘yllin’ e tij, ndërsa Napoli pret pagesën e plotë të klauzolës. Loja është ende e hapur.

