Vuçiç kundër vendimit të gjykatës sllovene ndaj patriarkut Porfirije: Dënim për diçka që nuk e ka bërë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar pas vendimit të një gjykate në Slloveni ndaj kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, i cili është dënuar me katër muaj burgim me kusht.
Vuçiç e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar si të padrejtë dhe duke shprehur mbështetje për patriarkun serb.
Kisha Ortodokse Serbe e ka cilësuar vendimin e gjykatës sllovene si “skandaloz”, ndërsa nuk ka bërë të ditur detaje të plota mbi veprën për të cilën është dhënë dënimi.
Sipas raportimeve të transmetuesit publik slloven, Radiotelevizionit të Sllovenisë, Prokuroria Themelore e Lubjanës kishte ngritur më herët aktakuzë ndaj Porfirijes për keqtrajtim të një prifti në vendin e punës, gjatë periudhës kur ai drejtonte Mitropolinë e Zagrebit dhe Lubjanës.
Vuçiç tha se patriarku Porfirije është dënuar “për diçka që nuk e ka bërë kurrë” dhe e lidhi vendimin me atë që ai e përshkroi si qëndrim ndaj Kishës Ortodokse Serbe.
“Patriarku Porfirije mund të krenohet edhe me këtë vendim, sepse tregon rëndësinë që ka për popullin serb”, u shpreh Vuçiç gjatë një vizite në një kantier rrugor pranë Leskovcit.
Presidenti serb shtoi se situata mund ta forcojë më tej figurën e patriarkut te mbështetësit e tij, duke e paraqitur atë si një person që përballet me presione për shkak të rolit që ka.
Porfirije drejtoi Mitropolinë e Zagrebit dhe Lubjanës nga viti 2014 deri në vitin 2021, kur u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe.


