MONITORIM PRODUKTEVE TË SHPORTËS/ Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e çmimeve
Autoriteti i Konkurrencës, njoftoi se ka nisur monitorimin e tregut të shitjes me pakicë të produkteve të shportës në rrjetet kryesore të supermarketeve në vend, pas ankesave të qytetarëve dhe shqetësimeve të ngritura nga deputetët në Kuvendin e Shqipërisë.
Procesi i monitorimit synon të analizojë ecurinë e çmimeve, strukturën e konsumit dhe të dhënat mbi shitjet për periudhën 1 janar 2025 – qershor 2026, me qëllim vlerësimin e funksionimit të konkurrencës në një treg që ndikon drejtpërdrejt në buxhetin e familjeve shqiptare.
Në kuadër të këtij monitorimi, operatorët kryesorë të tregtisë me pakicë do t'i paraqesin Autoritetit të Konkurrencës informacion mbi xhiron totale të shitjeve, si dhe të dhëna të detajuara për 30 produktet me peshën më të madhe në volumin e tyre të shitjeve.
Të dhënat e mbledhura do t'i nënshtrohen një analize krahasuese për të vlerësuar sjelljen e tregut, nivelin e konkurrencës dhe faktorët që ndikojnë në formimin e çmimeve.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se mbetet i angazhuar për garantimin e tregjeve të hapura, konkurruese dhe transparente, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe mirëqenies së konsumatorëve.


