“Lancet”: Eleminimi i ushqimeve të përpunuara, ul ndjeshëm simptomat e ADHD-së tek fëmijët

“Lancet”: Eleminimi i ushqimeve të përpunuara, ul

Një regjim ushqimor, që eliminon ushqimet e përpunuara mund të reduktojë ndjeshëm simptomat e ADHD-së (çrregullimit të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit),  tek një pjesë e fëmijëve, sugjerojnë disa studime shkencore.

Çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit, ADHD, është një gjendje neurozhvillimore që karakterizohet nga: vështirësi në përqendrim, hiperaktivitet (lëvizje të tepruara) dhe impulsivitet (veprime të nxituara pa menduar gjatë).

ADHD-ja është një çrregullim, që ndikon në vëmendje, kontrollin e sjelljes dhe nivelin e aktivitetit.

Sipas një studimi të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”, fëmijët me ADHD, që ndoqën një dietë të rreptë eliminuese, nën mbikëqyrje mjekësore, për disa javë shfaqën një përmirësim mesatar prej 53% të simptomave. 

Studiuesit theksojnë se rezultatet nuk nënkuptojnë se ushqimet e përpunuara shkaktojnë ADHD-në, por se disa fëmijë mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj përbërësve të caktuar ushqimorë.

“Lancet”: Eleminimi i ushqimeve të përpunuara, ul

Hulumtime të tjera kanë treguar se, ngjyruesit artificialë dhe konservuesit, mund të rrisin hiperaktivitetin tek fëmijët e ndjeshëm, megjithëse jo të gjithë reagojnë në të njëjtën mënyrë.

Ekspertët rendisin disa mekanizma të mundshme, përmes të cilëve dieta mund të ndikojë në simptomat e ADHD-së. 

Ushqimet ultra të përpunuara, të pasura me sheqer, kripë dhe yndyrë, stimulojnë fort sistemin e shpërblimit në tru. 

Kur ky sistem aktivizohet, truri çliron substanca kimike, veçanërisht dopaminën, e cila krijon ndjenjën e kënaqësisë pas përvojave të këndshme, si konsumimi i ushqimit të preferuar, duke na nxitur që ta përsërisim atë sjellje.

Gjithashtu, konsumi i lartë i sheqerit mund të shkaktojë, luhatje të shpejta të nivelit të energjisë, duke përkeqësuar irritimin dhe vështirësitë në përqendrim.

Studiuesit vlerësojnë se disa fëmijë, mund të kenë ndjeshmëri ndaj aditivëve ose përbërësve të caktuar ushqimorë, gjë që mund të ndikojë në sjelljen e tyre. 

Duke qenë se ADHD-ja prek vëmendjen, kontrollin e impulseve dhe rregullimin emocional, cilësia e dietës mund të luajë një rol, në stabilitetin e funksionimit të trurit nga dita në ditë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet në dietë nuk zëvendësojnë trajtimin e ADHD-së. 

Medikamentet, terapia, gjumi i mjaftueshëm, rutina e strukturuar dhe mbështetja familjare, mbeten elementë thelbësorë në menaxhimin e çrregullimit.

Studimi kryesor, i drejtuar nga studiuesi Lidy Pelsser dhe i publikuar në revistën “The Lancet” u zhvillua në Holandë dhe u drejtua nga studiues holandezë. 

Pjesëmarrësit ishin fëmijë holandezë, të diagnostikuar me ADHD, ndërsa kërkimi u realizua në bashkëpunim me universitete dhe qendra mjekësore holandeze, përfshirë Universiteti Wageningen, Universiteti Mjekësor Radboud dhe Qendra Mjekësore Universitare Groningen.

Rezultatet e studimit janë mbështetur edhe nga analiza të mëvonshme të publikuara në revistat e tjera shkencore “Pediatrics” dhe “PLOS ONE”. 

EMISIONET