A lidhet ushqimi në shtatzëni me autizmin tek fëmijët?

A lidhet ushqimi në shtatzëni me autizmin tek fëmijët?

Rastet e autizmit janë rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, me disa vlerësime që tregojnë për një rritje mbi 300% në 20 vitet e fundit.

Shkencëtarët po shqyrtojnë një sërë faktorësh të mundshëm, që mund të lidhen me këtë trend, përfshirë ekspozimin mjedisor, gjatë zhvillimit të trurit dhe ndikimin e dietës gjatë shtatzënisë.

Rezultatet u shqyrtuan nga një ekip kërkimor i udhëhequr nga David Horner, studiues në Universitetin e Kopenhagënit, Danimarkë, në bashkëpunim me Spitalin “Herlev and Gentofte”, COPSAC dhe disa institucione partnere në SHBA dhe Australi.

Studimi u botua në revistën shkencore “Nature Metabolism”.

Studimi i nënave u krye me pjesëmarrjen e mbi 60 000 nënave shtatzëna, të cilat u ndoqën për një periudhë deri në 10 vjet.

Rezultatet treguan se një dietë e tipit “Western”, e karakterizuar nga konsumi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara — ishte e lidhur me një rrezik rreth 122% më të lartë për çrregullime të spektrit të autizmit tek fëmijët.

Sipas autorëve, një dietë e tillë shpesh ka nivele më të ulëta të lëndëve ushqyese thelbësore dhe mund të shoqërohet me ekspozim më të lartë ndaj disa ndotësve ushqimorë, përfshirë metale të rënda si kadmiumi, mërkuri dhe plumbi.

Studiuesit theksojnë se këto lidhje janë vëzhguese dhe nuk tregojnë domosdoshmërisht shkakësi direkte.

Në një tjetër analizë, një rishikim sistematik i 52 studimeve, i kryer nga grupe kërkimore ndërkombëtare në fushën e neurozhvillimit, raportoi se fëmijët me autizëm shpesh shfaqin nivele më të larta të metaleve të rënda në organizëm krahasuar me fëmijët neurotipikë.

Megjithatë, autorët theksojnë se ende nuk është e qartë nëse këto nivele janë shkak apo pasojë e gjendjes.

Një studim tjetër i publikuar në vitin 2019 nga laboratorë të pavarur të testimit të ushqimeve në SHBA raportoi se rreth 95% e produkteve ushqimore për foshnja të analizuara përmbanin gjurmë metalesh të rënda.

Këto gjetje përfshinë disa marka të njohura në treg, por ekspertët nënvizojnë se prania e gjurmëve nuk do të thotë domosdoshmërisht rrezik toksik në nivelet e gjetura.

Shkencëtarët theksojnë se autizmi është një gjendje komplekse, ku luajnë rol faktorë gjenetikë, biologjikë dhe mjedisorë që ende nuk kuptohen plotësisht.

Megjithatë, disa linja kërkimi vazhdojnë të shqyrtojnë ndikimin e ushqyerjes dhe ekspozimeve mjedisore gjatë zhvillimit të hershëm të trurit.

EMISIONET