Qeveria italiane jep dritën jeshile për resortin në Sardenjë, rajoni paralajmëron ankimim

Debati mes zhvillimit turistik dhe mbrojtjes së zonave me vlera të larta natyrore po zhvillohet edhe në vende të Bashkimit Europian. Në Itali, qeveria ka miratuar fazën e parë të projektit turistik “Tavolara Bay” në Cala Finanza të Sardenjës, pavarësisht kundërshtimit të autoriteteve rajonale, institucioneve të mbrojtjes së trashëgimisë dhe organizatave mjedisore.
Sipas medias italiane “La Nuova Sardegna”, vendimi i Këshillit të Ministrave i hap rrugë zhvillimit të një kompleksi turistik në një zonë me vlera të larta natyrore pranë Zonës së Mbrojtur Detare Tavolara-Punta Coda Cavallo.
Projekti është bërë objekt i një përplasjeje institucionale mes qeverisë qendrore dhe Rajonit të Sardenjës, i cili ka njoftuar se do ta ankimojë vendimin në gjykatë.
Presidentja e Rajonit të Sardenjës, Alessandra Todde, ka deklaruar se kompetencat rajonale dhe instrumentet e mbrojtjes së territorit duhet të respektohen plotësisht, ndërsa autoritetet rajonale argumentojnë se procedura e përdorur nga qeveria nuk duhet të anashkalojë planifikimin territorial dhe normat natyrore.

