VIDEO/ Rally Albania mbyll edicionin e 22-të, mbi 190 garues promovuan Shqipërinë

Rally Albania mbylli mbrëmjen e së shtunës edicionin e saj të 22-të, duke kurorëzuar fituesit e kategorive kryesore pas shtatë ditësh garë në territorin shqiptar.
Në kategorinë e motoçikletave, trofeu i kampionit u fitua nga Vojtech Sekanina, ndërsa në garën me automjete u dalluan Laverian Nurka dhe Mario Nikolli. Çmimi i parë në kategorinë SSV iu akordua Simon Piedboeuf dhe Marc Borguet.
Për shtatë ditë me radhë, kampionët së bashku me 190 garues të tjerë përshkuan më shumë se 2000 kilometra në një itinerar që shtrihej nga veriu në jug të Shqipërisë. Pjesëmarrësit vizituan mbi 150 fshatra dhe zhvilluan etapat e garës duke kampuar nga Tirana në Përmet e më pas në Ksamil, për t’u rikthyer në kryeqytet ku u zhvillua ceremonia përmbyllëse e ndarjes së çmimeve.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi ndikimin e këtij aktiviteti jo vetëm në sport, por edhe në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Sipas tij, një komunitet lëvizës prej mbi 500 personash, përfshirë pilotë, familjarë dhe staf teknik, udhëtoi çdo ditë në zona të ndryshme të vendit, duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta me komunitetet lokale dhe duke përcjellë imazhin e mikpritjes shqiptare.
Përmes fotografive, videove dhe publikimeve në rrjetet sociale, pjesëmarrësit promovuan peizazhet, kulturën dhe traditat shqiptare te mijëra ndjekës në vendet e Evropës Veriore, Qendrore dhe më gjerë.
Rally Albania organizohet nga Federata Shqiptare e Motoçiklizmit me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Organizatorët dhe institucionet mbështetëse e konsiderojnë këtë aktivitet jo vetëm si një garë motorsporti, por edhe si një ambasador të natyrës, kulturës, turizmit dhe shpirtit shqiptar.


