Shpresë e re kundër rënies së kujtesës: Spraji nazal jep rezultate premtuese

Një ekip studiuesish nga Universiteti “A&M Teksas”, ka krijuar një spraj nazal eksperimental që, sipas rezultateve të para në modele shtazore, mund të rikthejë kujtesën, të ulë inflamacionin kronik në tru dhe të përmirësojë funksionimin e qelizave nervore, vetëm pas dy aplikimeve.
Studimi u drejtua nga Ashok Shetty dhe është publikuar në revistën shkencore “Journal of Extracellular Vesicles”.
Sipas autorëve, zbulimi mund të hapë rrugën, për zhvillimin e terapive të reja kundër sëmundjeve, që lidhen me rënien e funksioneve njohëse, si demenca dhe sëmundja e Alzheimerit.
Shkencëtarët shpjegojnë se me kalimin e moshës truri, shpesh zhvillon një inflamacion kronik të lehtë, i njohur si “neuroinflamacion”, i lidhur me plakjen, i cili mund të ndikojë negativisht në kujtesë, në të menduar dhe në aftësinë e trurit për t’u përshtatur me situata të reja.
“Plakja e trurit mund të jetë e kthyeshme, duke i ndihmuar njerëzit të ruajnë qartësinë mendore, të mbeten aktivë shoqërisht dhe të shmangin rënien e aftësive njohëse, të lidhur me moshën”, tha Ashok Shetty, autori kryesor i studimit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme dhe testime te njerëzit, përpara se kjo terapi të mund të përdoret në praktikën mjekësore.


