“Lancet”: A ekziston një lidhje midis humbjes së papritur të dëgjimit dhe demencës?

Humbja e dëgjimit, e konsideruar dikur një pasojë e pashmangshme e moshës, po shihet gjithnjë e më shumë si një problem i rëndësishëm i shëndetit publik, i lidhur ngushtë me çrregullime serioze si demenca dhe sëmundjet kardiovaskulare, sipas studimeve ndërkombëtare, sipas “The Lancet”.
Sipas grupit ndërkombëtar të ekspertëve, Komisioni i “The Lancet” për Parandalimin, Ndërhyrjen dhe Kujdesin ndaj Demencës, humbja e dëgjimit në moshën e mesme, përbën një nga faktorët më të mëdhenj të modifikueshëm të rrezikut, për zhvillimin e demencës në pleqëri, duke ndikuar në një pjesë të konsiderueshme të rasteve globale.
Edhe studime të realizuara nga Universiteti “Johns Hopkins” në SHBA, përfshirë kërkime afatgjata mbi plakjen dhe shëndetin e trurit, kanë treguar se personat me dëgjim të dëmtuar, kanë rrezik më të lartë, për rënie të funksioneve njohëse, përfshirë kujtesën dhe përqendrimin.
Një nga studimet më të njohura, “ACHIEVE Trial”, sugjeron se përdorimi i aparateve të dëgjimit, mund të ngadalësojë përkeqësimin e aftësive njohëse, te të moshuarit me rrezik të shtuar.
Po ashtu, Studimi “Framingham Heart”, një nga studimet më të gjata epidemiologjike të zhvilluara në SHBA, ka gjetur një lidhje mes humbjes së dëgjimit dhe rritjes së rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe goditje në tru, duke sugjeruar se dëmtimet e qarkullimit të gjakut, mund të ndikojnë edhe në funksionin e veshit të brendshëm.
Shkencëtarët shpjegojnë se kjo lidhje mund të jetë rezultat i disa mekanizmave, përfshirë ngarkesën e shtuar të trurit, për përpunimin e tingujve, izolimin social dhe ndryshimet në sistemin nervor dhe vaskular.
Ndërkohë, përveç trajtimeve ekzistuese si aparatet e dëgjimit dhe implantet kokleare, kërkimet po avancojnë drejt terapive të reja rigjeneruese dhe gjenetike.
Kompani dhe qendra kërkimore në SHBA dhe Evropë, po testojnë ilaçe eksperimentale, që synojnë rikthimin e qelizave të dëmtuara të veshit të brendshëm, megjithëse këto trajtime janë ende në faza studimore.
Në këtë kontekst, ekspertët theksojnë se humbja e dëgjimit nuk duhet parë, vetëm si një problem shqisor, por si një gjendje me ndikim të gjerë në shëndetin e përgjithshëm dhe cilësinë e jetës.


