Maqedonci: Kosovës i duhet stabilitet politik, presidenti duhet të jetë figurë konsensuale

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar se Kosovës i nevojitet stabilitet politik për shkak të sfidave të brendshme dhe zhvillimeve në fushën e sigurisë në nivel rajonal e ndërkombëtar.
Maqedonci është shprehur se ekzistojnë numrat për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por ka theksuar se dialogu me opozitën synon të shmangë bllokadat institucionale të përjetuara në të kaluarën.
Sa i përket postit të presidentit, ai është shprehur në favor të zgjedhjes së një figure konsensuale, duke vlerësuar se presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e qytetarëve dhe të jetë i pranueshëm për një spektër sa më të gjerë politik.
“Unë besoj që stabiliteti politik është i domosdoshëm për vendin tonë. Jo vetëm për nevojën që e ka vendi ynë si vend, si shtet. Mirëpo edhe për shkak të rrethanave ndërkombëtare, për shkak të sfidave me të cilat po ballafaqohet bota dhe regjioni në aspektin e sigurisë, për shkak të ndryshimeve në ambientin pra global të sigurisë, por edhe të raporteve ndërkombëtare. Po është edhe e nevojshme normalisht para së gjithash për funksionalitetin e shtetit, për funksionimin e institucioneve”, tha ai.
Duke folur për përpjekjet për formimin e institucioneve të reja, Maqedonci tha se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është i angazhuar për të gjetur një zgjidhje lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke nënvizuar se kjo nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese.
“Unë besoj që kryeministri Kurti e ka dëshmuar edhe në të kaluarën dhe po e dëshmon edhe tani sidomos gjatë këtyre ditëve, me angazhimin e tij për të gjetur zgjidhje për çështjen e presidentit. Edhe pse çështja e presidentit e ka thënë edhe ai në deklaratat e tij, nuk është çështje që i përket vetëm partisë fituese, pra çështja e presidentit... Kjo është edhe arsyeja pse kryeministri Kurti ka qenë i pari që i ka ftuar në takim për këtë çështje partitë opozitare.
Normalisht që detyrim, obligim kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje është konstituimi i kuvendit dhe votimi pra funksionalizimi i qeverisë, sepse si parti e parë e ka obligim kushtetues që të drejtojë...
Po, numrat për qeverinë normalisht edhe për kryetarin e Kuvendit janë, edhe mund të bëhen. Mirëpo e tha edhe kryeministri gjatë prezantimit të tij para mediave, që me qëllim që të mos kemi ngecje si herën e kaluar, ai ka filluar tashmë me takimet me liderët e partive opozitare”, tha ai.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që presidenti i ardhshëm të ketë edhe prapavijë ushtarake, por ka nënvizuar se kriteri më i rëndësishëm mbetet që ai ose ajo të jetë figurë konsensuale dhe të mos bëhet pjesë e përplasjeve të përditshme politike.
“Unë besoj që zgjidhja më e mirë është që të kemi një president konsensual, sepse presidenti, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës është institucion shtetëror, pra është institucion që duhet të prezantojë unitetin e popullit...në asnjë rast kryeministri nuk ka, nuk insiston që të kemi një president nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidatët që kanë dalë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dalë sepse ka qenë e pamundur që të gjendet për shkak të mungesës së bashkëpunimit mes partive politike....
Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë edhe nga kjo fushë(prapavijë ushtarake). Po unë vlerësoj që është shumë e rëndësishme që të jetë konsensual, që të jetë i pranueshëm pra edhe të mos jetë pjesë e këtyre fërkimeve që i kemi të përditshme politike në mes të liderëve apo mund të themi zyrtarëve të partive politike”, tha ai. /Kp/Telegrafi/

