Euro në “pikiatë”/ Duka: Fluksi i valutës nga turizmi po forcon lekun, por po dëmton eksportuesit

Euro në “pikiatë”/ Duka: Fluksi i valutës nga turizmi

Zhvlerësimi i euros ndaj lekut vijon të jetë një nga çështjet më të diskutuara në ekonominë shqiptare. Ekspertja e ekonomisë Armela Duka, në një intervistë për “Ora News”, shpjegoi se forcimi i lekut lidhet kryesisht me rritjen e ofertës së valutës në treg, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur fluksi i vizitorëve të huaj sjell më shumë euro në vend.

Sipas Dukës, zhvlerësimi i euros nuk është një fenomen që prek vetëm Shqipërinë, pasi edhe monedha të tjera europiane kanë shfaqur dobësim në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, në rastin e Shqipërisë, një ndikim të rëndësishëm ka hyrja e shtuar e valutës së huaj.

“Kur kemi më shumë euro që hyjnë në Shqipëri, automatikisht rritet oferta e kësaj monedhe. Në të njëjtën kohë rritet kërkesa për lekun, pasi turistët e huaj e përdorin atë për konsum dhe shërbime”, u shpreh Duka.

Ajo theksoi se një pjesë e fluksit të valutës mund të vijë edhe nga burime joformale, çka ndikon në rritjen e mëtejshme të ofertës së euros në treg.

Ekspertja nënvizoi se situata e kursit të këmbimit ka pasoja negative për disa kategori, veçanërisht për eksportuesit, të cilët marrin të ardhura në euro, por edhe për familjet që mbështeten nga remitancat.

“Familjet që marrin të ardhura nga jashtë do të kenë më pak fuqi blerëse, pasi euroja e zhvlerësuar përkthehet në më pak lekë për të njëjtën shumë valutore”, tha ajo.

Duke folur për sektorin e turizmit, Duka u ndal edhe te ndikimi i vlerësimeve online ndaj bizneseve të vogla, sidomos hoteleve, restoranteve dhe strukturave akomoduese. Sipas saj, komentet dhe vlerësimet në platformat digjitale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në numrin e rezervimeve dhe të ardhurat e këtyre bizneseve.

“Eksperienca e turistëve dhe mënyra se si ajo reflektohet online ndikon në zgjedhjet e klientëve. Një reputacion negativ mund të sjellë ulje të rezervimeve dhe të ardhurave”, u shpreh ekspertja.

Sa i përket rritjes së numrit të turistëve në Shqipëri, Duka tha se nuk duhet parë vetëm numri i hyrjeve në vend, por edhe vlera ekonomike që ata sjellin.

“Pyetja kryesore nuk është vetëm sa turistë vijnë, por sa shpenzon mesatarisht një turist dhe sa para mbeten në ekonominë shqiptare”, theksoi ajo.

Sipas ekspertes së ekonomisë, sfida kryesore për Shqipërinë mbetet kthimi i rritjes së turizmit në vlerë të shtuar për ekonominë, ndërsa institucionet duhet të ndërhyjnë për të garantuar një ekuilibër më të qëndrueshëm të tregut të këmbimit dhe për të mbrojtur sektorët më të prekur nga forcimi i lekut.

Armela Duka:Kemi zhvlerësim  thuajse të të gjitha monedhave europiane që janë referencë pra të kursit të këmbimit. Pra, qoftë kjo euro, dollari amerikan, paundi britanik e të tjerë. Dhe pa diskutim në terma të thjeshtë, për t'u ndalur pikërisht tek zhvlerësimi i euros dhe nga ana tjetër dhe forcimi i lekut, kjo vjen për shkak se kemi një hyrje të shtuar të valutës së gatshme në treg. Pra, kemi më shumë euro që hyjnë në Shqipëri.

Automatikisht kjo e ndikuar dhe si pasojë edhe e sezonit turistik, pra në korrik dhe gusht fluksi i turistëve është i shtuar dhe patjetër duke patur një ofertë të rritur tashmë për monedhën euro dhe nga ana tjetër edhe një rritje të kërkesës së monedhës së lekut, kjo automatikisht pra bën që konsumatorët e huaj tashmë të përdorin lekun për të përfituar nga shërbimet dhe konsumi në Shqipëri dhe nga ana tjetër pra të sjellin më shumë euro.

Por pa diskutim duke mos lënë mënjanë edhe faktin që një pjesë e kësaj monedhe, pra e kësaj valute vjen në rrugë jo formale. Pra çfarë ndikon automatikisht në rritjen e ofertës së euros. Paraja jo informale, po. Në fakt, ajo çfarë ka për detyrë, pra qoftë qeveria apo edhe institucionet përkatëse siç është Banka e Shqipërisë, është të ndërhyjnë për të rregulluar pikërisht pra këtë sistem të kursit të këmbimit i cili pa diskutim, siç edhe ju e përmendët, ka një efekt negativ kryesisht pra tek eksportuesit, por nga ana tjetër edhe nga familjet që mbahen pikërisht nga të ardhurat që mund të sigurojnë nga të afërmit e tyre, pra nga jashtë. Të cilët pa diskutim duke patur pra në konsideratë faktin që kjo euro është zhvlerësuar, do të ulë automatikisht fuqinë e tyre blerëse. Do ndikojë drejtpërdrejt pra në të ardhura më të pakta në këto familje.

 Po, në fakt kjo është përtej ndikimit individual të një biznesi. Kryesisht mendoj që më të prekur janë pikërisht bizneset e vogla të cilat janë të mbështetur pra kryesisht në në klikimet apo në platformat Google, ku të mos e mohojmë që pjesa më e madhe e klientëve qoftë vendas, por edhe atyre të huaj janë të influencuar pra nga komentet, nga revieë-të, nga vendndodhja e destinacionit, shërbimi pra sepse pikërisht eksperienca e qytetarëve, të cilët mund ta shprehin nëpërmjet rrjeteve digjitale mund të ndikojnë në përzgjedhjen ose jo të këtij bari, restoranti apo hoteli.

Dhe patjetër që kjo do të ndikojë drejtpërdrejt pra në në uljen e rezervimeve për hotelet, për strukturat akomoduese. Nga ana tjetër do të kemi pra një ulje të numrit të klientëve që përkthehet automatikisht në më pak të ardhura për këto, për këto biznese. Por patjetër kjo është e artikuluar mjaft qartë edhe ditët e fundit pra që bizneset në një farë forme po reagojnë dhe po kërkojnë pra që kjo të merren masa në lidhje me aktivitetin e tyre dhe këtë revieë online pra që po ju bëhet në mënyrë që kjo të mos jetë afatgjatë pra, ndikimi i tyre afatgjatë për sa i përket fitimit neto.

Po në fakt pavarësisht se sipas shifrave të INSTAT pra vit pas viti ne kemi një numër të shtuar të turistëve që vijnë kryesisht nga vendet e afërta, pra Greqia, Italia, Gjermania. Kjo është edhe përbërja kryesore e turistëve nga origjina. Pa diskutim që këta, këta turistë në Shqipëri hasin sfida qoftë lidhur me infrastrukturën, qoftë me cilësinë e shërbimit, qoftë me strukturën e akomodimit.

Por nga ana tjetër çfarë është shumë e rëndësishme është se nuk duhet parë turizmi vetëm në shifrat e personave që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Pra nuk është kjo ajo çfarë duhet, ne të bëjmë një pyetje është: Cila është, a sjellin vlerë të shtuar këta turistë në ekonominë shqiptare? Pra, sa shpenzon mesatarisht një turist i huaj në Shqipëri? Sa para mbeten në ekonominë shqiptare...

EMISIONET