Spanja në gjysmëfinale të Botërorit “trazon” La Ligën, kalendari i kampionatit rrezikon shtyrje të madhe

Kualifikimi i Spanjës në gjysmëfinale të Botërorit ka sjellë ndryshime në planet e La Ligës. Kampionati spanjoll është parashikuar të nisë më 14 gusht, por prania e shumë lojtarëve të grumbulluar me kombëtaren ka krijuar probleme me kalendarin.
Rregullat e kontratës kolektive të Shoqatës së Futbollistëve Spanjollë (AFE) parashikojnë 21 ditë pushim të detyrueshëm për lojtarët nga një sezon në tjetrin. Kjo mund të sjellë shtyrjen e ndeshjeve të skuadrave që kanë futbollistë ende të angazhuar në Botëror.
Fillimisht La Liga kishte planifikuar shtyrjen vetëm të dy ndeshjeve: Barcelona-Athletic Bilbao dhe Real Madrid-Real Sociedad, pasi këto dy klube kishin numrin më të madh të lojtarëve në turne.
Por kalimi i Spanjës në gjysmëfinale ka ndryshuar situatën. Tashmë pritet të shtyhen edhe përballje të tjera, mes tyre Celta Vigo-Osasuna, pasi Celta ka Borja Iglesias në kombëtare, si dhe Atletico Madrid-Malaga, ku madrilenët kanë Pubill, Grimaldo dhe Baena të grumbulluar nga trajneri Luis de la Fuente.
Në listën e ndeshjeve që mund të preken mund të përfshihen edhe Valencia-Betis ose Sevilla-Rayo Vallecano.
Sipas situatës aktuale, vetëm disa sfida pritet të zhvillohen në fundjavën e 14 gushtit, mes tyre Alaves-Getafe, Deportivo La Coruna-Elche, Espanyol-Levante dhe Racing Santander-Villarreal.
Mundësia më e madhe është që e gjithë java e parë e La Ligës të shtyhet dhe të zhvillohet në një mesjavë mes javës së dytë dhe të tretë të kampionatit, rreth datave 26 dhe 27 gusht.
Kjo zgjidhje do të shmangte ndarjen e javës së parë në disa pjesë dhe do t’i lejonte klubet të kenë në dispozicion lojtarët e tyre pas përfundimit të angazhimeve me kombëtaret.


