PËRKUJTOHEN V*KTIMAT E SREBRENICËS/ 31 vite nga m*sakra më e rëndë në Europën pasl*ftës

Në 31-vjetorin e masakrës së Srebrenicë në Qendrën Memoriale të Potoçarit u zhvillua ceremonia e varrimit të mbetjeve mortore të dhjetë viktimave të gjenocidit. Ceremonia përkujtuese nderon mijëra boshnjakë të vrarë në korrikun e vitit 1995, gjatë një prej krimeve më të rënda të luftës në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

PËRKUJTOHEN V*KTIMAT E SREBRENICËS/ 31 vite nga m*sakra më e

Në korrikun e vitit 1995, Srebrenica u kthye në simbolin e një prej masakrave më të rënda të kryera në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Mbi 8.300 boshnjakë u vranë gjatë gjenocidit, ndërsa tre dekada më vonë, plagët e asaj tragjedie vijojnë të mbeten të hapura.

Në 31-vjetorin e masakrës, në Qendrën Memoriale të Potoçarit do të zhvillohet ceremonia e varrimit të mbetjeve mortore të dhjetë viktimave të identifikuara.

Mes tyre është Senad Jusiq, i lindur në vitin 1975, i cili u zhduk në zonën e Bratuncit dhe mbetjet e tij u gjetën në vitin 2022. Viktima më e moshuar që do të prehet këtë vit është Ramo Dautoviq, i lindur në vitin 1939, i zhdukur në zonën e Zvornikut.

Në ceremoninë përkujtimore në Potoçari priten të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, delegacione ndërkombëtare dhe mijëra pjesëmarrës të Marshit të Paqes, të cilët ndjekin rrugën ku të mbijetuarit tentuan të largoheshin nga Srebrenica e rrethuar.

Në Qendrën Memoriale të Potoçarit deri tani janë varrosur 6.772 viktima të gjenocidit në Srebrenicë, ndërsa rreth 250 të tjera janë varrosur në vende të ndryshme, sipas dëshirës së familjeve.

Megjithatë, për më shumë se 1.000 persona të vrarë nga Srebrenica dhe komunat përreth ende nuk dihet fati i tyre, ndërsa kërkimet për mbetjet mortore vazhdojnë.

Gjenocidi i Srebrenicës është njohur edhe nga institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në vitin 2007, përcaktoi se në korrik të vitit 1995, kur Srebrenica ishte zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid.

Për masakrën e Srebrenicës, më shumë se 50 persona janë dënuar nga gjykata të ndryshme me mbi 700 vite burgim. Mes tyre, me burgim të përjetshëm janë dënuar ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i ushtrisë së këtij entiteti, Ratko Mlladiç.

EMISIONET