Berisha: Samiti i NATO-s ishte historik, por Shqipëria u përfaqësua në mënyrë qesharake nga padrinoja

Berisha: Samiti i NATO-s ishte historik, por Shqipëria u

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi Samitin e NATO-s në Ankara si historik, por sipas tij Shqipëria u përfaqësua në mënyrë qesharake nga Kryeministri Edi Rama. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Kryedemokrati u shpreh se Rama nuk respektoi protokollet ndërkombëtare me paraqitjen e tij në samit, duke theksuar se kjo ndikoi negativisht në imazhin e vendit.

Ai tha se rregullat e protokollit janë të rëndësishme për të shprehur respekt dhe seriozitet në takime të nivelit të lartë ndërkombëtar. Sipas tij, mediat ndërkombëtare e trajtuan Ramën në mënyrë ironike, ndërsa shtoi se Shqipëria u vu në një pozitë të pakëndshme për shkak të këtij përfaqësimi.

"Samiti i Ankarasë i NATO-s, në vlerësimin tim, është një nga samitet më të suksesshme në historinë e aleancës. Dhe ishte një samit vërtet historik për arritjet transformuese për aleancën e Atlantikut të Veriut. I vetmi vend që u përfaqësua aty në mënyrën më qesharake, më të padenjë, ishte Shqipëria sepse padrinoja i Shqipërisë, me ekzibicionizmin e tij të papërmbajtur, mendoi se në samitin më serioz të planetit mund të shkohet me atletet e basketbollistit. Nuk kam asgjë për atletet, por ato janë për evente sportive, kurse në atë samit vetëm ai që nuk ka mend, vetëm ai që është torollak, vetëm ai që është i sëmurë dhe nuk kontrollon ekzibicionizmin e tij mund të bëjë këtë akt.

Ai personalisht mori atë që meritonte, e damkosën si shakaxhi, si hokatar dhe servil mediat më të mëdha të botës. Por Shqipërinë, nuk mund të them se nuk i mbeti turpi nga përfaqësimi nga një individ si ky, i cili sikundër fyen Kushtetutën e vendit të tij, shkel rregullat e hekurta të protokolleve ndërkombëtare, duke harruar se ato janë rregulla për të demonstruar respektin, për të demonstruar seriozitetin për ata që ti përfaqëson dhe ndaj atyre që ti takon. Ato nuk janë vullnetarizma. Ato janë shekullore.

Por kur hyn ai që nuk meriton, nuk po e prish gojën, aty ku nuk duhet pastaj priten gjëra të tilla. Sidoqoftë e rëndësishme është protesta, revolta paqësore e fuqishme e qytetarëve që qëndron e pamposhtur dhe e jashtëzakonshme. Sot, ftoj të gjithë qytetarët të bashkohen në një protestë të fuqishme, tërësisht ndaj akteve të përsëritura të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Por e vërteta është se pagesa 4 milionë për Kanye West është një fyerje, është një injorim i tmerrshëm për shqiptarët dhe ata qindra mijëra qytetarë që janë në protestë kundër tij," tha Berisha.

 

EMISIONET