“Gj*ku i punonjësve të policisë është gj*ku i shtetit"/ Balla: Kush sulmon policinë, sulmon shtetin
Në një deklaratë për mediat pas seancës plenare, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar lidhur me situatën e krijuar jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ku protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e rendit.
Balla ka theksuar se shumica qeverisëse nuk do të tërhiqet përballë asnjë presioni politik dhe se sipas tij, parlamenti vazhdon punën e mandatit të marrë nga qytetarët në zgjedhje.
Duke iu referuar përplasjeve të fundit, ai ka vënë theksin te mbështetja për Policinë e Shtetit, duke e konsideruar sulmin ndaj saj si sulm ndaj vetë shtetit. Në këtë kontekst, ai ka folur edhe për plagosjen e efektivëve të policisë gjatë protestës.
“Gjaku i punonjësve të policisë është gjaku i shtetit. Kush sulmon policinë, sulmon shtetin.”-theksoi socialisti.
Gjithashtu, Balla ka ngritur shqetësimin për atë që e konsideron një skenar politik që synon të pengojë proceset e integrimit europian të vendit, në një moment kur Kuvendi pritet të votojë nisma të lidhura me këtë rrugë.
Ai ka kujtuar se gjatë javëve të fundit kanë ndodhur edhe protesta paqësore, ndërsa ka bërë dallim mes atyre dhe rasteve të dhunës së fundit, sipas tij të nxitura nga grupe të caktuara.
Në fund të komunikimit, është lënë e hapur mundësia e dialogut me qytetarët që protestojnë për çështje të ndryshme, përfshirë mbrojtjen e natyrës dhe shqetësimet ndaj institucioneve.
“Do vijë momenti kur do ulemi me protestuesit e vërtetë, ata që kanë kauza reale dhe shqetësime qytetare.”-u shpreh ai.


