Shqipëria e dyta në Europë për energjinë e rinovueshme / Mbi 100% e konsumit nga burime të gjelbra

Shqipëria e dyta në Europë për energjinë e rinovueshme

Shqipëria renditet e dyta në Europë për peshën e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme në raport me konsumin e brendshëm, duke lënë pas shumicën e vendeve të Bashkimit Europian.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 105% e konsumit bruto të energjisë elektrike në Shqipëri është mbuluar nga burime të rinovueshme. Ky tregues do të thotë se gjatë vitit vendi ka prodhuar më shumë energji të gjelbër sesa ka konsumuar.

Më mirë se Shqipëria renditet vetëm Norvegjia me 114%, ndërsa Islanda vjen e treta me 102%. Eurostat thekson se në disa raste kjo shifër mbi 100% lidhet me prodhim më të lartë se konsumi dhe eksport të energjisë, ndërsa në raste të tjera ndikohet nga normalizimi i prodhimit hidroenergjetik.

Pozicioni i Shqipërisë lidhet kryesisht me dominimin e hidrocentraleve në prodhimin vendas të energjisë. Viti 2024 është karakterizuar nga kushte të favorshme hidrike, të cilat kanë rritur ndjeshëm prodhimin dhe kanë mundësuar edhe eksporte të energjisë në periudha të caktuara. Megjithatë, sistemi mbetet i varur nga reshjet, çka e bën të luhatshëm prodhimin në vite me thatësirë.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kryeson me diferencë të madhe. Mali i Zi renditet me 66%, Maqedonia e Veriut me 32%, ndërsa Serbia vetëm 13%, duke reflektuar varësinë nga qymyri.

Në nivel të Bashkimit Europian, mesatarja e energjisë së rinovueshme arriti në 47.3% në vitin 2024. Liderë të BE-së janë Austria me 90%, Suedia me 88% dhe Danimarka me 80%. Në anën tjetër qëndrojnë Malta, Çekia dhe Luksemburgu me rreth 10–20%.

Raporti i Eurostat thekson se rritja e energjisë së gjelbër është nxitur kryesisht nga investimet në energjinë diellore dhe atë të erës, ndërsa hidrocentralet mbeten një burim i rëndësishëm në disa vende, përfshirë Shqipërinë./MONITOR

EMISIONET